Spitali “Malla Bogorodica” në Shkup, kovid-qendër fantazmë!

Gjithçka është gati prej disa muajsh, por ambientet e Spitalit “Malla Bogorodica” mbeten një kovid qendër fantazmë. Me shpalljen e gjendjes së krizës u konstatua nevoja për shtimin e kapaciteteve spitalore. Megjithëse miliona euro u shpenzuan për renovime dhe pajisje mjekësore, ky spital nuk u vu në përdorim. Në bazë të ujdisë për spitalin “Malla Bogorodica” tre spitalet private duhej të kryenin shërbime me çmime të ulëta përmes Fondit Shëndetësor, skemë e cila ende nuk është formalizuar.

“Presim Ministria të jep leje për tri spitalet private që ta përdor objektin si kovid qendër. Presim leje edhe të stacionit për furnizim të oksigjenit. Presim propozimin e Ministrisë se cilët janë dy mjekët e tyre që do të udhëheqin me këtë kovid qendër. Gjithashtu presim edhe ofertën e Fondit Shëndetësor”, thonë nga spitali “Axhibadem Sistina”.

Por tani, kjo godinë me 100 shtretër po del të jetë e panevojshme sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Plani për hapjen e “Mala Bogorodica” ishte pjesë e strategjisë për rritjen eventuale të numrit të pacientëve të cilët duhej të hospitalizoheshin deri në funt të nëntorit. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë prej fundit të dhjetorit numri i të shtrirëve në spital u ul dhe nuk kishte nevojë të hapen të tjera.

“Në kuadër të asaj strategjie janë hapur qendrat për kovid në klinikat interne, ndërsa në plan ishte edhe hapja si kovid qendër e Klinikës së Traumatologjisë në kuadër të KARIL-it, pastaj në fazën e fundit planifikohej Spitali ‘Malla Bogorodica’. Aktualisht, nuk ka nevojë për shtim të kapaciteteve”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Për shkak të rënies së numrit të pacientëve, të cilët kishin nevojë për kurim spitalor javës që lamë pas u mbyllën kovid qendrat në Klinikën e ORL-së dhe të Oftamologjisë. Në fundjavë u  mbyllën edhe Klinika e Nefrologjisë dhe Gatros, të cilat kishin pak pacientë pozitiv me Covid. Aktualisht, në Shkup aktiv janë 7 kovid qendra, në të cilat janë të hospitalizuar 252 pacientë dhe ka 114 shtretër të lirë. Në ndërkohë edhe spitalet modulare mbeten në gjendje gatishmërie për ndonjë vale të re eventuale.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button