Gazetar: Adnan Qaili
Maqedonia importon drithë nga shtetet e rajonit, ndërsa grurin e prodhuar vendas e lë pa blerë. Nga shoqatat e bujqve thonë se nga të korrurat e vitit të kaluar 6-8 mijë ton grurë nuk është blerë nga shteti.
Kjo sasi paraqet 10% të prodhimit vendor të drithit, por gjithsesi importi ka qenë i pashmangshëm për të mbushur hambarët për nevojat e tregut. Nga Asociacioni i bujqve kërkojnë që përveç blerjes së këtyre mijëra tonelatave të grurit, të stimulohet kultivimi i tokave bujqësore e të pavarësohet tregu nga importi.
Petar Stojkovski tha se shteti duhet të shtrenjtojë doganimin e grurit dhe të heq monopolin e lëndës parë.
“Për të pasur vetëm prodhimin tona të grurit vendor, atëherë qeveria duhet të merr masa për rritjen e tarifave doganore për import të grurit, kjo është njëra. Nga ana tjetër, lënda e parë, si plehu artificial dhe gjitha përbërësit tjerë që importohen janë shumë të shtrenjta. Kjo situatë duhet të ndryshohet që ne si bujq të kemi të drejtë vet ti blejmë nga jashtë ato materiale që janë të nevojshme për prodhimin e grurit, për të qenë të pavarur nga monopoli që ka shteti për importin e atyre lëndëve të para”, u shpreh Petar Stojkoski, Asociacioni i bujqve.
Por, nga Ministria e Bujqësisë thonë se fajin që ky grurë mbeti pa blerë e kanë vetë prodhuesit dhe duhet të shqyrtohet përse iu dha përparësi grurit të huaj nga Agjencia për rezerva të mallrave. Ministri Lupço Nikollovski tha se vjet 12 mijë bujqve iu mbuluan 40% të shpenzimeve duke rritur prodhimin. Ai pret që sivjet të ketë rendiment më të lartë ngaqë edhe sipërfaqet e regjistruara janë shtuar për subvencione. Afër 10 mijë ton grurë nuk janë bluar miell dhe për këtë pritet të ketë një afat të ri të bërjes gjatë pranverës.
“Vitin e kaluar 90% e grurit është blerë, sektori ynë kishte takim ku u hap kjo çështje dhe takimi radhës do të mbahet brenda 10 dite me prodhuesit që të shohim në çfarë mënyre mundet sërish sivjet me fondin intervenues të mbështetën këta bujq me blerjen e këtyre kulturave bujqësore. Edhe po të jenë 10 mijë ton këto janë 10% e asaj që është blerë vjet, çmimi ishte rekord, përse nuk e shitën vjet kur ishte 24 den/kg është çështje tjetër”, theksoi Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.
Për të ndalur hovin e drithit të huaj dhe në mbështetje të prodhimit vendor, Turqia ka vendosur një tarifë prej 130% për importet e disa drithërave, përfshirë grurin dhe misrin. Turqia vendosi pasi disa vende të BE njoftuan një ndalim të importit të grurit nga Ukraina javën e kaluar. Megjithatë, disa tregtarë treguan se masa turke kishte për qëllim mbrojtjen e sektorit të brendshëm bujqësor përpara zgjedhjeve kryesore të 14 majit. Sipas rregullores së mëparshme, importi ishte pa doganë deri më 30 prill. Me vendimin e ri, i cili do të hyjë në fuqi nga 1 maji, vendoset një taksë doganore prej 130% për importin e drithërave. /Alsat.mk








