Stoltenberg: Aktorë të huaj po punojnë për të minuar progresin në Ballkan

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kohët e fundit në Ballkan ka pasur rritje të tensioneve, përfshirë Kosovën dhe Bosnje- Hercegovinën, me retorikë më agresive dhe me aktorë të huaj që po punojnë për të  minuar progresin.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u mblodhën sot në kryeqytetin e Letonisë, Riga për një konferencë dyditore për të diskutuar çështjet më urgjente të sigurisë për aleancën.

Në ditën e dytë të takimit, kryediplomatët diskutuan leksionet e nxjerra nga prania 20-vjeçare e NATO-s në Afganistan, tërheqja nga vendi dhe marrja e shpejtë e kontrollit nga talibanët.

”Për të ardhmen, ne duhet të shqyrtojmë se si të forcojmë aftësinë e NATO-s për të kryer përpjekje të evakuimit në shkallë të gjerë me njoftim të shkurtër dhe të përforcojmë mjetet e menaxhimit të krizave të NATO-s”, tha Stoltenberg.

Në lidhje me tërheqjen nga Afganistani, Stoltenberg pranoi se “SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Norvegjia ofruan sigurinë dhe operuan aeroportin (në Kabul) në rrethana jashtëzakonisht sfiduese”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se NATO e arriti qëllimin e saj për të parandaluar që Afganistani të bëheJ një strehë e sigurt për terrorizmin ndërkombëtar dhe dëshmoi se mund të kryejë operacione masive dhe komplekse të menaxhimit të krizave.

Në të njëjtën ditë, ministrat e jashtëm diskutuan edhe situatën e sigurisë në Ukrainë dhe Gjeorgji si dhe tensionet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg tha se kohët e fundit në Ballkan ka pasur rritje të tensioneve, përfshirë Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, me retorikë më agresive dhe me aktorë të huaj që po punojnë për të minuar progresin.

Ai e quajti agresive dhe shqetësuese retorikën separatiste të Milorad Dodik, anëtarit serb të Këshillit Presidencial të Bosnje-Hercegovinës duke theksuar që kjo gjuhë minon Marrëveshjen e Dejtonit.

Stoltenberg riafirmoi mbështetjen për integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, duke thënë po ashtu se do të bëjnë çfarëdo që duhet për të parandaluar çdo iniciativë që dëmton përbërjen shumetnike të vendit.

LEXO EDHE:

Back to top button