Stoltenberg: Grumbullimi i ushtrisë serbe nuk do t’i ulë tensionet / Vuçiq: Është puna jonë se ku do ta vendosim ushtrinë serbe

Stoltenberg: Grumbullimi i ushtrisë serbe nuk do t'i ulë tensionet / Vuçiq: Është puna jonë se ku do ta vendosim ushtrinë serbe

Gazetar: Lluka Andreev

Ruajtja e paqes ishte një nga temat kryesore të takimit të përbashkët të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Numri një i Aleancës Veriatlantike nga Beogradi bëri thirrje për përgjegjësi për sulmuesit e forcave të KFOR-it në Kosovë, që nga maji i këtij viti, si dhe për ata nga sulmi në Banjskë në shtator. Sipas tij, këto ngjarje janë të papranueshme dhe porositi që ushtria serbe dhe pjesëtarët e KFOR-it të bashkëpunojnë më shumë dhe të shkëmbejnë informacione që, siç tha ai, të mos ketë keqkuptime. Nga ana tjetër, presidenti serb tha se gjatë takimit nuk ka dëgjuar fjalë të mira nga Stoltenberg për qëndrimet e Beogradit, por megjithatë bisedën e ka vlerësuar produktive. Vuçiq theksoi se ushtria serbe nuk e ka tejkaluar kurrë autoritetin e saj.

“U bëj thirrje palëve që t’i ulin tensionet dhe të përmbahen nga aktivitetet që çojnë në përshkallëzim. Siç i thashë presidentit Vuçiq gjatë takimit, mbledhja e forcave të ushtrisë serbe në kufirin administrativ përsëri, nuk do të ndihmojë në këtë drejtim”, deklaroi Jens Stoltenberg– Sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

“Ku dhe si do ta vendosim ushtrinë tonë, në pajtim me Kushtetutën e Serbisë dhe ligjet e këtij vendi duke mos rrezikuar askënd në asnjë mënyrë, kjo është punë e jona”, deklaroi Aleksandar Vuçiq– president i Serbisë.

Nga ana tjetër, Stoltenberg përsëriti nga Beogradi atë që e paralajmëroi dje në Prishtinë. Përkatësisht se prania e NATO-s në veri të Kosovës do të rritet me 1000 ushtarë shtesë për ta ruajtur paqen. Në takim u diskutua edhe për stërvitjet e përbashkëta ushtarake kurse Vuçiq e mbështeti këtë ide, por shtoi se vendi i tij mbetet ushtarakisht neutral. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s një ditë më parë nga Prishtina theksoi rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është në interesin e Rusisë që të hapë front tjetër në Ballkan dhe ritheksoi se Moska vazhdimisht e mbështet Beogradin. Më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Serbia është duke vendosur forca ushtarake në kufi. Ndërkaq, Stoltenberg e nisi nga Sarajeva turneun e tij mini-ballkanik, ku shprehu shqetësimin për ndikimin destabilizues të Rusisë. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button