Strugë: Mijëra nxënës rrezikojnë të mbesin pa transport
Gazetar: Miki Trajkovski
Një javë para fillimit të vitit shkollor, ende nuk ka zgjidhje për problemin me transportin publik në Strugë. Më shumë se 2000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme janë prekur nga vendimi i transportuesve për të ndërprerë punën, të cilët kërkojnë shlyerjen e borxhit si dhe rritjen e çmimit të biletave.
„Më së shumti do të preken nxënësit dhe mendoj se do ta bojkotojnë edhe mësimin, për shkak se nuk do të ketë transport. Nuk ka mirëkuptim, nuk do të lëshojnë pe, nga do t’i gjejnë paratë? Kjo është vërtet serioze, ndërsa ata mendojnë se këto janë vetëm dy-tri fjalë nga transportuesit, se vetëm flasim dhe se do të kalojë, por ky është vërtet një problem serioz.“ – Negovan Shumulikoski – transportues.
Banorët thonë se janë të shqetësuar për fëmijët e tyre.
„Kush na pyet neve, kush na pyet? Normalisht që duhet të ketë transport. Shkoni atje dhe pyetini personalisht, ata do t’ju tregojnë. Ka atje përfaqësues të cilin e kemi votuar, le të tregojë ai.“ – Qytetar.
„Nga 1 shtatori duhet të ketë transport. Këta kryesorët duhet të merren vesh. Te kush do të ndikojë më së shumti kjo, duke qenë se fillon edhe viti shkollor? Te njerëzit nga fshatrat, më së shumti te nxënësit, por ka edhe punëtorë.“ – Qytetar.
Nga Komuna e Strugës thonë se kanë plan B e C, por nuk tregojnë se çfarë parashihet.
„Komuna e Strugës ka plan B dhe plan C për zgjidhjen e problemit me transportin e nxënësve, nëse nuk ka vullnet për bashkëpunim nga ana e transportuesve. Shpresojmë që transportuesit të mos bëhen viktima të politikës dhe të premtimeve boshe, sepse pikërisht kjo politikë ndër vite i ka sjellë në këtë gjendje.“– Komuna e Strugës.
Nga Komuna thonë se nga janari e deri më sot janë paguar 1,4 milionë denarë, ndërsa dje kanë filluar procedurat për pagesën e 900 mijë denarëve shtesë për transportuesit. Do të shlyhen edhe borxhet e vjetra, por është proces që kërkon kohë, pasi bëhet fjalë për borxhe të grumbulluara ndër vite. /Alsat.mk








