Studimi: Orari shtesë ndikon negativisht në tru

Një studim i kohëve të fundit në Korenë e Jugut zbuloi se orët e tepërta të punës dhe orët shtesë çojnë në ndryshime të rëndësishme në strukturën e trurit, që vijnë si rezultat i një kombinimi të mbingarkesës fizike dhe emocionale.

Hulumtimi i kryer nga dy shkencëtarë nga universitetet Chung-Ang dhe Yonsei përfshinte 110 punonjës të kujdesit shëndetësor të ndarë në dy grupe.

Një grup përfshinte ata që punonin të paktën 52 orë çdo javë, ndërsa grupi tjetër përfshinte punonjës që punonin me orar standard, raportoi CNN.

Njerëzit që punonin jashtë orarit treguan ndryshime të rëndësishme në rajonet e trurit që rregullojnë funksionet njohëse dhe emocionale, një pasojë e mbingarkesës dhe lodhjes së tyre, përfunduan studiuesit.

Bashkautori i studimit, Profesor Yun-Jul Choi, tha se këto ndryshime mund të korrigjohen, të paktën pjesërisht, nëse eliminohen faktorët stresorë.

Megjithatë, ai shtoi se trurit i duhet shumë më tepër kohë për t’u rikthyer në gjendjen e tij origjinale.

Një studim i mëparshëm nga viti 2021 tregoi gjithashtu se orët shtesë kanë pasoja negative për shëndetin, shkruan CNN.

Frank Pega, i cili udhëhoqi hulumtimin, tha se rezultatet e fundit përfaqësojnë prova të reja dhe të rëndësishme që mund të ndihmojnë në kuptimin më të mirë se si orët shtesë ndikojnë në mënyrë drastike në shëndetin fizik të punonjësve.

“Qeveritë, punëdhënësit dhe vetë punonjësit mund të marrin së bashku masa për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve”, tha Pega.

Autorët e studimit më të fundit të Koresë së Jugut vunë në dukje se rezultatet e hulumtimit të tyre tregojnë rëndësinë e adresimit të problemit të orëve shtesë, gjë që është një shkak për shqetësim.

“Është një studim i vogël, por për shkak se bazohet në matje gjithëpërfshirëse neurologjike dhe trajton mekanizmat themelorë të mbingarkesës dhe lodhjes, mund të zbatohet për të gjithë, kështu që përfundimet e tij qendrore janë shumë të rëndësishme”, vunë në dukje shkencëtarët.

LEXO EDHE:

Back to top button