Sulmi në Kosovë, presidenti kroat i ashpër me Borellin
Sulmi në Kosovë, presidenti kroat i ashpër me Borellin
Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka thënë se Serbia duhet të jap përgjigje për sulmin e 24 shtatorit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Në konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Millanoviq ka thënë se ngjarje të tilla nuk duhet lejuar të ndodhin më.
“Qëndrimet janë të qarta, ndaj Serbia duhet të na japë disa përgjigje për disa gjëra të dukshme që nuk mund të gjejnë vëmendjen e një fëmije të vogël. Kush janë ata, nga kanë ardhur, kë kanë financuar, këto janë të gjitha gjërat që i kemi parë tashmë në histori, nëse nuk ka pasoja, do të thotë se presim një ngjarje të tillë të radhës, dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”, deklaroi Zoran Millanoviq, President i Kroacisë.
Presidenti kroat Millanoviq u tregua i ashpër edhe me shefin e politikës së jashtme të BE-së Borell duke kërkuar madje që vendet e BE-së mos t’i respektojnë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Kosova është nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe natyrisht i ftoj t’i bojkotojnë ato. Këto janë disa prej masave të cilat i ka ndërmarrë Komisioni Evropian nga zoti Borrell i cili shpresoj së shpejti të shkojë në pension dhe i ndalojnë pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por nga Komisioni, nga Borrell, nga ekipi i tij, të cilat ndalojnë dhe na kërcënojnë të gjithë ne që takohemi në disa nivele të caktuara me përfaqësuesit e Kosovës, në nivel të lartë, ky është një nivel i lartë, nuk e di çfarë është niveli i lartë tjetër. Kështu e sheh komisioni Evropian zgjidhjen e problemit, ndërprerjen e përkrahjes për Kosovën, njoh shumë spanjoll për vite të tëra edhe nga maja e pushtetit të Spanjës, natyrisht mbretin dhe gruan e tij, kryetarin e qeverisë dhe njerëzit i kanë disa qëndrime dhe pikëpamje të caktuara. Mirëpo ky shtet nuk e ka njohur Kosovën, si të presim të kemi një objektivitet në këtë rast, nga dikush që është spanjoll dhe drejton politikën e evropiane kundër Kosovës. Ata të cilët nuk kanë dëgjuar për faktin që Komisioni Evropian ka masa ndaj Kosovës i ftoj të gjithë t’i shkelin këto masa dhe të takohen me përfaqësuesit e Kosovës dhe t’i përsërisin këto gjëra, të thonë që po i bëjnë këto gjëra pikërisht për këtë synim”, shtoi Zoran Millanoviq, President i Kroacisë.
Nga ana tjetër zëdhënësi i BE-së Stano sot ka thënë se masat për Kosovën mbeten ende në fuqi pasi BE-ja nuk është e kënaqur me hapat që ka marrë Kosova drejt de-përshkallëzimit në veri. Stano megjithatë nuk tregoi se çfarë po bëhet dhe çfarë po përgatitet për Serbinë.
“Masat e marra në lidhje me Kosovën ishin në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj përshkallëzimit që kemi parë, apo mungesës së de-përshkallëzimit që kemi parë më parë, nuk po flas për rastin e 24 shtatorit, por para kësaj. Shtetet Anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm të kënaqshëm drejt de-përshkallëzimit kuptimplotë, prandaj masat janë ende në fuqi. Sa i përket hetimit, mund ta përsëris atë që kemi thënë shumë herë, presim rezultatin e plotë të hetimit të plotë. Pra, pasi të përfundojë hetimi dhe rezultatet të dalin për t’i parë edhe Bashkimi Evropian, për të pasur një pasqyrë shumë të qartë se çfarë ndodhi, kush qëndron pas këtij rasti, atëherë BE do të vendosë hapat e ardhshëm”, u shpreh Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.
Stano tha se BE-ja pret bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Beogradi për të ndriçuar atë që ndodhi në Banjskë më 24 shtator ku mbeti i vrarë një pjesëtar i policisë së Kosovës. /Alsat.mk