Takimi i Brukselit, BE: Borell fillimisht takime të veçanta me Kurtin dhe Vuçiçin

Takimi i Brukselit, BE: Borell fillimisht takime të veçanta me Kurtin dhe Vuçiçin

Bashkimi Europian njoftoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin në Bruksel në 27 shkurt, boshtin e të cilit pritet të përbëjë diskutimi mbi planin franko-gjerman që synon shtrimin e rrugës së një marrëveshjeje finale të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Një zëdhënëse e BE-së sqaroi se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, fillimisht do të zhvillojë takime të ndara me të dy udhëheqësit, duke i paraprirë kështu takimit të përbashkët. Borrell ftoi për takim Kurtin dhe Vuçiçin pak ditë më parë në rinisje të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas disa muajsh të ndërprerjes së tij.

Takimi i fundit ndërmjet dy udhëheqësve u mbajt në nëntor të vitit të kaluar në mesin e tensioneve të ndezura për shkak të çështjes së targave. Plani europian, i mbështetur nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, nuk përmend njohjen reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Në të kërkohet ndërkohë që Serbia të mos ndërhyjë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që të dyja palët të respektojnë sovranitetin dhe integritetin e njëra-tjetrës. Propozimi i pranuar në parim nga të dy liderët, përfshin gjithashtu të drejta të barabarta për të dyja vendet, njohjen e simboleve shtetërore, trajtim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

LEXO EDHE:

Back to top button