Talebanët u ndalojnë grave udhëtimet e largëta pa një burrë të familjes
Talebanët kanë ndaluar gratë e Afganistanit të udhëtojnë të vetme në distanca të gjata prej më shumë se 72 kilometra. Ky lloj udhëtimi atyre iu lejohet vetëm nëse janë të shoqëruara nga një familjar burrë.
Udhëzimi i lëshuar nga Ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimit të Veseve, përfshinë edhe kërkesën për të gjithë ngasësit që të mos dëgjojnë muzikë në veturat e tyre dhe të mos pranojnë udhëtare gra nëse nuk janë të mbuluara.
Disa javë më parë, e njëjta ministri ka kërkuar nga gazetaret televizive që të mos raportojnë nëse nuk kanë shami të vendosur.
Njohësi afgan i drejtësisë, tashmë i larguar nga vendi, Haroun Rahimi, kritikoi udhëzimet e talebanëve, duke thënë se në këtë mënyrë “taksistët afganë do të jenë në pozitë që të përcjellin lëvizjen fizike të grave afgane”. “Kjo do të krijojë hapësirë për ngacmime derisa vendet publike nuk do të jenë të sigurta për gratë”, shkroi ai në Twitter më 25 dhjetor.
Ndërsa, Heather Barr nga organizata “Human Rights Watch”, tha se udhëzimi i ri i talebanëve më shumë ngjanë në “hap i cili do të izolojë edhe më shumë gratë”. “Kështu mbyllën mundësitë që ato të mund të lëvizin lirshëm, të udhëtojnë në ndonjë qytet tjetër apo të bëjnë biznes ose të arratisën nëse ballafaqohen me dhunë në shtëpi”, tha Barr për agjencinë “AFP”.
Që nga marrja në dorë e pushtetit nga talebanët, është mbyllur Ministria për Çështjen e Grave dhe janë reduktuar dukshëm të drejtat e tyre. Madje, kabineti qeveritar është i përbërë vetëm me burra.
Shumicës së grave ju ndalua puna derisa shumë vajza nuk kanë të drejtë të arsimohen.
Muajin e shkuar, Ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimit të Veseve urdhëroi televizionet afgane që të mos transmetojnë drama me aktore.







