Talibanët po kërkojnë derë më derë bashkëpunëtorët e amerikanëve

Derë më derë për të gjetur personat që kanë bashkëpunuar me perëndimorët gjatë këtyre 20 viteve.  Ky është hapi i radhës që kanë ndërmarr talibanët, thuhet në një raport të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Për dallim nga ç ’kishin deklaruar fillimisht pas marrjes në kontroll të Kabulit, se nuk do të hakmerren ndaj bashkëpunëtorëve të perëndimit, veprimet e tyre në terren tregojnë të kundërtën. Talibanët, sipas raportit në fjalë, kanë filluar të mbledhin të dhëna për të gjithë ata që kanë bashkëpunuar këto 20 vjet me organizatat ndërkombëtare, SHBA-të dhe NATO-n.

Kristian Nelleman, i cili kryeson grupin që qëndron pas raportit në fjalë, tha se kushdo që ishte në listën e zezë të talibanëve ishte në rrezik të madh dhe se mund të kishte ekzekutime masive.

Raporti i OKB
“Është me shkrim që, nëse ata nuk dorëzohen, talibanët do t’i ndjekin familjarët e tyre, do t’i kapin, do t’i marrin në pyetje dhe do ndëshkojnë anëtarët e familjes në emër të atyre individëve”.

Mediat e huaja shkruajnë se talibanët masakruan nëntë burra pasi morën nën kontroll provincën Ghazni. Gjashtë prej tyre u qëlluan, ndërsa tre të tjerë u torturuan për vdekje. Një gjeneral që qëndroi kundër tyre u ekzekutua me gjakftohtësi nga talibanët. Ata kanë vrarë familjarin e një gazetari të DË, ndërsa media e njohur gjermane njoftoi se një familjar i dytë i reporterit është plagosur.

Talibanët vazhdojnë të pengojnë hyrjen  në aeroportin e Kabulit, duke vështirësuar edhe më shumë procesin e evakuimit. Në disa video, burra, gra dhe fëmijë mund të shihen duke u tmerruar ndërsa talibanët kanë shtënë në qiell në fortë kërcënimi duke i detyruar ata të kthehen. Të tjerët tregojnë talibanët që fshikullojnë njerëzit që tentojnë të kalojnë.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje shteteve fqinje të Afganistanit që të mbajnë hapur kufijtë për t’u lehtësuar shtetasve afganë largimin nga talibanët.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të mbajnë përgjegjësi për afganët që duan të largohen nga regjimi i talibanëve, duke paralajmëruar që vendi i tij nuk ka ndonjë detyrim që të bëhet “magazinë refugjatësh për Evropën”. Megjithatë, në mediat turke është përhapur lajmi  se Turqia ka evakuuar të paktën 40 zyrtarë të lartë të qeverisë afgane nga Kabuli të hënën, të fshehur në një fluturim riatdhesimi që u ul në Stamboll me 324 pasagjerë në bord. Midis tyre janë; zëvendës presidenti Sarëar Danish, ministri i jashtëm Mohammad Hanif Atmar dhe kreu i Drejtorisë së Sigurisë Kombëtare, Ahmad Zia Sraj, tre ish-ministra të tjerë dhe disa deputetë.
Forcat amerikane mund të qëndrojnë në Kabul përtej 31 gushtit për të evakuuar të gjithë amerikanët, tha presidenti amerikan Joe Biden. “Talibanët duhet të vendosin nëse duan të njihen nga bashkësia ndërkombëtare”, tha presidenti Biden në një intervistë për ABC neës.

Presidenti amerikan vuri në dukje se qëllimi i parë i ndërhyrjes në Afganistan ishte luftimi i Al Kaedës dhe se ndërtimi i një shteti nuk kishte qenë kurrë “një qëllim”.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button