Taravari nuk përjashton mundësin e përfshirjes së ASH-së në Qeveri

Taravari nuk përjashton mundësin e përfshirjes së ASH-së në Qeveri

Gazetar: Fatlume Dervishi

Për reformat evropiane dhe luftën kundër krimit të korrupsionit, janë temat për të cilat kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari këmbënguli se është biseduar në takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski nga i cili, në fakt, Taravari pritej të dalë me një ofertë konkrete nga Kovaçevski për hyrjen e ASH-së në qeveri. I pari i partisë opozitare shqiptare tha se nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në qeveri, por se akoma nuk kanë biseduar për ofertë, për pozita dhe funksione.

“Është e vërtetë se praktikisht qeveria është në kuartalin e fundit të funksionimit të saj. Unë mendoj se është debati cili duhet të zhvillohet brenda partisë. Ka gjëra për të cilat ndoshta duhet ta marrësh guximin për të marrë përgjegjësi dhe ka gjëra për të cilat ndoshta nuk duhet ta marrësh rrezikun për të humbur votues të papërcaktuar. Kështu që ky duhet të jetë debat i brendshëm partiak”, tha Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Taravari thotë se mban kontakt me të gjitha partitë parlamentare por pranoi se është distancuar nga VMRO-DPMNE-ja.

“Fjalori që përdor VMRO-DPMNE-ja gjatë kohës së fundit nuk na pëlqen aspa. Mendoj se i reduktojnë kapacitetet për bashkëpunim me partitë shqiptare, jo vetëm me Aleancën për Shqiptarët. Kemi përshtypje se VMRO-DPMNE-ja tashmë garon me “Të Majtën” se cila është partia më nacionaliste, gjë që sinqerisht, neve na dëmton”, u shpreh Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se e ka vërejtur që në periudhën e fundit, deputetët e Aleancës për Shqiptarët veprojnë më shumë si pushteti. Ai thotë se nëse të gjitha partitë shqiptare do të vendosin t’i bashkohen pushtetit, do të krijohet vetvetiu opozitë tjetër.

“A do të hynë të gjitha partitë shqiptare dhe nuk do të ekzistojë opozitë shqiptare nuk besoj sepse nëse nuk ekziston formalisht do krijohet opozitë e re. Nuk mundet të mos ketë mendim opozitar sepse kjo flet keq për politikanët shqiptarë në Maqedoni sepse të gjithve u intereson pushteti. Ne gjithmonë do të kemi opsion se më kë të koalicionojmë por ne jemi të fokusuar në qëllimin tonë, që janë 61 deputetë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Edhe pse nuk flitet zyrtarisht, Alsat mëson se Aleanca për Shqiptarët negocion me kryeministrin për disa pozita. Në diskutim janë pozita e ministrit të Shëndetësisë, Bujqësisë dhe Ekologjisë si dhe pozitat e zv/ministrit të Trasportit, Punës dhe Politikës Sociale si dhe Drejtësisë. Në negociata janë të përfshira edhe disa poste drejtorësh.

As përfshirja e ASH-së në qeveri nuk i siguron pushtetit numrin e nevojshëm të deputetëve për ndryshimet kushtetuese, gjë e cila kërkon 80 vota në Kuvend./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button