Gazetar: Adrian Kerimi
Një aleancë, dy kongrese të jashtëzakonshme. Partia e Arben Taravarit sonte në Shkup ka thirrur Kongres, ndërsa krahu i Ziadin Selës ditën e diel, shkruan Alsat.
Avokati i ASH-së, Abedin Abdyli sot shpalosi sipas tij shkeljet nga Kuvendi i 10 shkurtit, duke deklaruar se mbledhja nuk ka qenë Kuvend pasi këtë e dëshmojnë deklaratat e notarizuara të kuvendarëve të ASH-së.
“Rezulton që shumica e kuvendarëve të regjistruar nuk kanë marrë pjesë në atë Kuvend. Unë para jush kam deklarata të dhëna në noter nga 70 kuvendar të regjistruar të cilët deklarojnë se nuk kanë marrë pjesë në Kuvendin e partisë të mbajtur më 10 shkurt të këtij viti. Me këtë mund të konstatojmë se Kuvendi i 10 shkurtit nuk ka pasur 2/3 e mjaftueshme për të thirrur Kongres të cilin e kanë thirrur më 18 shkurt madje në të nuk ka pasur as gjysmën e kuvendarëve të regjistruar. Ai Kuvend është jo legjitim dhe i falsifikuar”, tha Abedin Abdyli, Avokat i ASH-së.
Krahu i Ziadin Selës pretendon të kundërtën. Akuzon se jo legjitim ishte Kuvendi në Kumanovë, ndërsa thotë se për Kongresin e sontëm, vlerësojnë se ka një serë shkeljesh.
“Jo legjitim dhe ilegal është tubimi i thirrur në Kumanovë ku nuk pati as ftesë, as procesverbal, as vulë, as firmë, as edhe një procedurë statutare. Sa i takon Kongresit, atë e thërret Kryetari i partisë, ose 2/3 e kuvendarëve. Kongresin e thirrën 2/3 e kuvendarëve të pranishëm në Kuvendin e vetëm legal të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Ziadin Sela. E kjo, po që paraqet vepër penale. Sa për të ashtuquajturin Kongres të cilin e kanë thirrur, dje për sot, ka një sërë shkeljesh”, thuhet në reagimin e krahut të Ziadin Selës.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se situata e krijuar nuk do të ndikojë aspak në garën zgjedhore. Ish ministri Azir Aliu thotë se ligjërisht, kryetar i ASH-së është Arben Taravari dhe përdorimi i logos, vulave dhe emri i partisë i takon atij.
“Të gjitha procedurat janë jo legjitime dhe logjikisht, partia, vula, kryetari dhe shumica janë në ASH. Ne do të shkojmë me logo, me vulë dhe mburrje në këtë zgjedhje si ASH. Ne aktualisht jemi në procedurë dokumentimi, fotografive dhe informacioneve që kemi dhe bashkërisht me juristët që kemi në parti, do të veprojmë në përputhje me ligjin”, u shpreh Azir Aliu, ASH.
Përçarjet në Aleancën për Shqiptarët filluan pas vendimit të Taravarit që të bashkohet me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Krahu i Ziadin Selës e kundërshtoi vendimin e tij duke kërkuar që në zgjedhjet e 8 majit ASH-ja të shkojë e vetme, por ky vendim sipas Taravarit i ndihmon BDI-së. Derisa Taravari është përcaktuar për garën zgjedhore dhe ka njoftuar se do të jetë kandidat për president i opozitës, krahu i Selës akoma nuk ka vendosur nëse do të shkon vetë në zgjedhje, më BDI-në apo me frontin Evropian fati i të cilit akoma nuk dihet./ Alsat.mk








