“Tatimet”, Ministria e Ekonomisë hodhi poshtë kërkesën e kontabilistëve

Nuk ka zgjatje të afatit për dorëzimin e llogarive përfundimtare. Ministria e Ekonomisë hodhi poshtë kërkesën e kontabilistëve për zgjatjen e afateve. Arsyeja është se do të shkelet cilësia e raporteve statistikore të lidhura me BE. Për kontabilistët, përgjigjja e Ministrisë është absurde duke pasur parasysh se shumica e vendeve evropiane kanë afate më të gjata për dorëzimin e raporteve. Ata kërkojnë që institucionet menjëherë ta rishikojnë vendimin.

Për çfarë cilësie të të dhënave statistikore flasim, kur nuk kemi kohë të mjaftueshme për t’i përgatitur, fokusi i kontabilistëve do të jetë ekskluzivisht në respektimin e afateve të shkurtra, gjë që vë në dyshim analizën dhe besueshmërinë e të dhënave, ndërsa me këtë do të vihen në pozitë të rrezikuar të gjitha kompanitë të cilat në mënyrë të barabartë mbajnë përgjegjësi për këto raporte – u shpreh Dragan Mitkovski, Kryetar i Odës së Kontabilistëve.

Ministria e Ekonomisë nuk e shpjegoi arsyen konkrete të refuzimit të kësaj kërkese të kontabilistëve, por vetëm se është miratua bashkërisht me disa institucione.

Në konsultim me institucionet kompetente, Regjistrin Qendror dhe Ministrinë e Financave, u soll vendim i përbashkët që të respektohen afatet në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare – thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Kontabilistët thonë se kërkesa e tyre është e arsyeshme sepse kriza ka rritur punën e tyre dhe ka zvogëluar burimet njerëzore. Ata kërkojnë që afatet për dorëzimin e raporteve në formë letre të zgjaten deri më 30 prill, ndërsa deri më 15 maj të jetë afati për mënyrën elektronike. Afatet ligjore për dorëzimin e llogarive përfundimtare skadojnë në fund të këtij muaji.

Andrea Cobanova

LEXO EDHE:

Back to top button