Të huajt do të ndërtojnë autostrada për ne pa tender, deputetët e Pendarovski nuk përfillin Antikorrupsionin

Në vend që me tender, me ligj është zgjedhur një kompani që do të ndërtojë autostrada. Ndërtimi i Korridoreve 8 dhe 10 është tani një rrugë e hapur drejt korrupsionit, vlerësojnë nga anti-korrupsioni, pas ligjit të votuar, që zgjodhi konsorciumin amerikano-turk “Behtel dhe Enka” për të ndërtuar rrugë. Sipas Antikorrupsionit, zgjidhja ligjore paraqet rrezik të lartë të korrupsionit dhe konflikt të interesit si dhe e prish sistemin ligjor duke shkelur parimet kushtetuese të lirisë së tregut, si dhe parimin e marrjes së masave kundër monopolit.

Ka boshllëqe juridike në Ligj, që lënë hapësirë për subjektivizëm, arbitraritet, ndikim politik, tregti të pushtetit dhe diskrecion në krijimin e komitetit negociues  – deklaroi Biljana Ivanovska, Kryetare e KSHPK.

Për anti-korrupsionin, kontestuese është zgjedhja e kompanisë, sepse ajo tashmë është e lidhur me një seri skandalesh korrupsioni në ndërtimin e rrugëve në Ballkan.

Ne nuk kemi asnjë shpjegim saktësisht pse kjo kompani, e cila tashmë ka dëshmuar në një mënyrë të caktuar, të paktën sipas mediave, se ka marrë pjesë në një seri skandalesh korrupsioni, është rizgjedhur për partner strategjik …? – u shpreh Vladimir Georgiev, anëtar i KSHPK.

Në të njëjtën mënyrë, para disa viteve qeveria e atëhershme e Nikolla Gruevskit lidhi marrëveshje pa tender me kompaninë kineze “Sinohidro” për akset Kërçovë- Ohër dhe Milladinovc- Shtip. Për këtë, tani gjykohen Gruevski, Mile Janakieski dhe ish zv/ kryeministri Vlladimir Peshevski.

Kaluan tashmë shtatë vite nga ajo marrëveshje në katër sy me “Sinohidro” dhe me ligj të miratuar me parimin e njëjtë. Të gjithë e dimë sa ishte dëmi dhe ka mbetur ende pa u zbardhur, dhe tani po vazhdohet sërish në katër sy – deklaroi Nuri Bajrami- anëtar i KSHPK.

Por, derisa anti- korrupsionerët në konferencë shtypi kërkonin presidenti Pendarovski të mos e firmos dekretin, ai veç më e kishte bërë këtë.

Ligji është miratuar me shumicën e nevojshme dhe më pas asnjë deputet apo grup deputetësh nuk votoi kundër – thonë nga kabineti i Pendarovskit.

Pendarovski fton të gjithë institucionet dhe individët që kanë dyshime lidhur me kushtetutshmërinë e ligjit, të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarët e anti- korrupsionit paralajmëruan se do ta bëjnë këtë. Sipas marrëveshjes, “Behtel Enka” duhet t’i projektojë dhe ndërtojë akset Tetovë- Gostivar- Bukojçan, Trebenishtë- Strugë- Qafë Thanë dhe Prilep- Manastir. Çmimi për momentin nuk është i njohur.

Igor Stefanovski

LEXO EDHE:

Back to top button