Të mërkurën interpelanca për Dimitrovin, VMRO me dy propozime tjera

Të mërkurën do të thirret seanca për interpelancën ndaj zëvendëskryeministrit të Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov. Nisma e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE dhe E Majta vjen në rend dite pas gati dy muaj zvarritje dhe ballafaqim i deputetëve me rend dite të mbingarkuar. Opozita propozon edhe dy interpelanca të tjera, njërën ndaj zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski dhe tjetrën ndaj ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq. Sipas opozitës, interpelanca ndaj Nikollovskit ka për bazë indeksin e dobët të vendit në listën e luftës kundër korrupsionit, ndërsa interpelanca ndaj Mariçiq ka për bazë neglizhencën e tij në rastin “Javna Soba”.

“Ne jemi shembull i rrallë i një Qeverie në të cilën ka ministër me përgjegjësi të veçantë të luftojë me korrupsionin. Por, në këtë rast kur jemi në vendin e 111, formimi i një ministrie të tillë, për mua nënkupton iluzion institucional. Një ministër i Drejtësisë i cili citon ligjet, mendimet e Komisionit të Venecias por unë edhe për këtë mendoj se bëhet fjalë për iluzion juridik”, tha Gordana Siljanovska, deputete e VMRO-DPMNE-së.

Nga shumica parlamentare thonë se ministrat e Qeverisë së tyre gëzojnë besimin e pushtetit dhe se interpelancat e propozuara nga opozita nuk kanë bazë.

“VMRO-DPMNE po vazhdon të ngulfatet në idetë e munguara të saja dhe dëshpërimin e saj. Gjithçka që bën kjo parti në Kuvend është destruktivitet, bllokadë dhe pengesë e punës së Kuvendit. Kur nuk mund të shpërndajë lajme të rreme, VMRO-DPMNE-ja sjell interpelanca të pabaza ndaj ministrave”, theksoi Snezhana Kaleska, Deputete e LSDM-së.

Opozita shqiptare ASH-AAA thonë se mbështesin çdo nismë për interpelanca ndaj cilido ministër të kësaj Qeverie apo kryeministrit.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button