Të moshuarat ia bëjnë bajat “defilimin” kryeministrit në market

Të moshuarat ia bëjnë bajat “defilimin” kryeministrit në market

Gazetar: Adnan Qaili

Inspektorati i Tregut sot pati edhe dy mbikëqyrës më shumë për të inspektuar ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore. Por, Kryeministri Kovaçevski dhe ministri Bekteshi nuk u mirëpritën nga banorët e lagjes Taftalixhe të Shkupit. Ndërsa kreu i Qeverisë shëtiste nëpër market i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe drejtori Inspektoratit të Tregut, disa zonja me shporta bosh ia prishën “defilimin” autoriteteve.

“Edhe një pyetje dhe do të shkoj! Kështu të ju them: çmimet janë në tavan, me këto zbritje 2 denarë për makaronat dhe zbritje për 1 denarë për vezët i ngritë çmimet?! Çka do të thonë këto lirime! Vërtetë ka ardhur një jetë e vështirë, as barna nuk mund të blejmë? Është e vërtetë se çmimet ishin të larta sepse kishte luftë në Evropë. Unë i përcjell rregullisht. Dhe tani janë çmimet e larta”, u shpreh një pensioniste.

Të mërkurën në seancë qeveritare do të ketë ngrirje të disa prodhimeve higjienike. Sipas autoriteteve, disa nga artikujt më së të nevojshëm do të ulen detyrimisht me vendim të Qeverisë. Kurse, deri në fund të javës, do të shqyrtohen analizat e tregut për fruta-perimet, për disa prej të cilave pritet të ngrijnë çmimet. Por, produktet e mishit janë në plan të fundit edhe pse këtë muaj të festave është rritur konsumi i tyre. Ngrirja e çmimeve të disa produkteve, u bë praktikë e rishitjes nga prodhuesit individual të pa regjistruar. Ekipi Tv Alsat, ngriti çështjen e rastit të vezëve, ku tregtarët blejnë vezët nga marketet për t’i rishitur në tregun e jashtëm, ku ka kërkesë me kosto shumë më të lartë se sa çmimet e ngrira në tregun vendor.

“Shembulli juaj ishte i shkëlqyer, ka ndodhur edhe më herët, tani kishte tentativa të bëhej puna e njëjtë, sidomos në tregun e vezëve, sepse në rajon ka mungesë të prodhimit të vezëve dhe çfarë ndodhë? Disa tregtarë të caktuar, siç i theksuat ju në tregjet e gjelbra, blejnë direkt në super markete dhe i rishesin të njëjtit produkte sepse me vendimet të qeverisë për ngrirje çmimesh, marketet e kanë patjetër të mbajnë sasi të caktuara ose 70% nga ajo që janë furnizuar muajt e kaluar. Andaj do të ketë edhe masa të tjera!”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Inspektorati i Tregut, ka 160 inspektorë në të gjithë vendin, të cilëve iu kanë bashkangjitur edhe Inspektorati i Punës dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Drejtori i Inspektoratit të tregut, Goran Trajkovski, tha se përveç marketeve cak të inspektimit do të jenë edhe tregjet me qëllim të frenimit të keqpërdorimeve me çmimet.

“Veprojmë në aksione të përbashkëta dhe në mënyrë të pavarur edhe nëpër tregje të gjelbra dhe sipas ligjeve tjera, të njëjtat i kumtojmë çdo ditë në ueb faqen tonë. Rreth 500 mbikëqyrje zbatuam vetëm në 5 ditët e fundit, prej të cilave 130 në bazë të vendimeve të qeverisë për ngrirje të çmimeve të artikujve”, tha Goran Trajkovski, Drejtor i Inspektoratit të Tregut.

Kreu i Inspektoratit të Tregut, tha se në mbi 500 mbikëqyrje të zhvilluara në 5 ditët e fundit janë shqiptuar 6 gjoba, apo te vetëm 1% e kompanive janë konstatuar se nuk kanë respektuar masat e ngrirjeve të çmimeve. Këto kundërvajtje arrijnë shumën e 750 mijë denarëve, por autoritetet nuk i publikojnë emrat e tyre deri sa nuk mbarojnë procedurat me afat për pagesë dhe ankesë. Njësoj u veprua edhe me 4 gjobë-vëniet e tjera për prodhuesit e bukës, megjithëse gjobat për këto raste janë nga 800 deri në 10 mijë euro. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button