Tentim i pasuksesshëm për grabitjen e bankomatit në Butel

Tentim i pasuksesshëm për grabitjen e bankomatit në Butel

Gazetare: Ajnur Bafqari

Mbërritën me automjet, vendosën një mjet shpërthyes në bankomat, por tentimi i katër personave për ta grabitur atë rezultoi i pasuksesshëm. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 e 30 të mëngjesit të së martës, në bankomatin e vendosur në Butel, përballë komunës së Çairit. Sipas policisë nga shpërthimi janë dëmtuar 3 makina, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Rast të ngjashëm kishte edhe në dhjetor të vitit të kaluar ku me mjet shpërthyes u hodhën në erë disa bankomatë të disa bankave të ndryshme, ndërsa u grabitën shuma parash, vlera e të cilave bashkë me autorët e krimit akoma mbeten të panjohur për opinionin.

Qytetarët ndjehen të shqetësuar. Shpërthimi i sotëm është dëgjuar larg, thotë një qytetare.

“Un nuk e di, thash diçka krisi, diçka tjetër u bë, nuk mendova se bankomatit diçka i ka ndodh…Unë mendova se diçka tjetër ndodhi, a të përmenda unë, shpërthimi i madh ke, se pasna dit se te kjo ka ndodh, ama partall e paskan bo”.

“Kurrë nuk ndjehemi të sigurtë, se s’ka shtet, për atë nuk ndjehemi të sigurt, shteti është i dobët shumë, edhe policia nuk sillet asnjëherë përskaj bankomatit… Natën jo, nuk jemi të sigurt…”.

“Ka me ndodh akoma më shumë, sa të jemi gjallë kështu do të bëjnë, kështu shteti është”.

“Nuk e di valla, nuk është bërë asnjëherë kështu, për herë të parë po shoh”.

Kërkuam qëndrim nga policia lidhur me atë se deri ku janë  procedurat e rasteve të ngjajshme nga e kaluara, por në një përgjigje të shkurtër u tha se bashkë me Prokurorinë po punohet për zbardhjen e plotë të rasteve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button