Testet bërthamore, Macron: I jemi ‘borxhli’ Polinezisë

Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca i ka një borxh Polinezisë Franceze mbi testet bërthamore që janë kryer në Paqësor në vitet 1960 dhe 1970.

Duke folur nga kryeqyteti, Macron tha: “Dua që sot të thyej heshtjen dhe të dëgjohet e gjithë e vërteta në mënyrë që e gjithë bota të dijë saktësisht se çfarë është bërë, çfarë ka qenë e ditur, e çfarë dihet sot. Çdo gjë, çdo gjë. Unë marr përsipër përgjegjësinë dhe dua të vërtetën dhe transparencën me ju”.

Parisi kreu 193 teste bërthamore, 41 prej të cilave në tokë, pranë disa ishujve korale të Polinezisë Franceze midis viteve 1966 dhe 1996 si pjesë e programit të zhvillimit të armëve bërthamore.

Zbulime të reja

Në mars të këtij viti, një raport zbuloi dëmet e shkaktuara ndaj popullsisë nga testet e armëve bërthamore.

Studimi, i titulluar Dosjet Moruroa, u përfundua pas dy vitesh dhe puna ishte një bashkëpunim midis një organizate franceze joqeveritare, një kompani kërkimesh mjedisore britanike, universitetit norvegjez të shkencave dhe teknologjisë si dhe me universitetin Princeton në SHBA.

Për të rindërtuar rrethanat e kontaminimit pas shpërthimeve bërthamore, shkencëtarët analizuan të dhënat e 2 mijë dosjeve, fotografi, harta, si dhe intervistuan vendasit e stafin e ushtrisë franceze.

Studimi doli në përfundimin se rreth 90 për qind e popullsisë është prekur nga radioaktiviteti.

Autorët e raportit thanë se qeveria franceze ka “fshehur efektit reale të testimeve bërthamore mbi shëndetin e banorëve për mbi 50 vite” dhe se Franca kishte nënvlerësuar ndikimin e politikave të saj.

Shkencëtari Sebastien Philippe nga Universiteti i Princeton shpjegoi se Franca kishte zgjedhur Polinezinë si vend testimesh pasi nuk mund të kryente më testime të ngjashme në Algjeri pasi shpallën pavarësinë.

LEXO EDHE:

Back to top button