Tetovë: Hidhet poshtë iniciativa që kompetencat për mirëmbajtjen e rrugëve NPK-së

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Shumica e këshilltarëve të Komunës së Tetovës votuan kundër iniciativës së kreut të këshillit, që ingerencat për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit t’i kalojnë Ndërmarrjes Publike Komunale, shkruan Alsat.

Kjo nismë u refuzua nga këshilltarët e nismës “Më mirë për Tetovën”, me arsyetimin se Ndërmarrja Publike, nuk ka siguruar raport të detajuar se si do bëj mirëmbajtjen dimërore.

“Duhet të shihet se me çfarë kontrate janë ndërmarrë këta punë për pastrim të borës që besoj se ka bazë ligjore. Ne nuk bëmë bllokimin por nga analizat tona dhe duke ditur që ndërmarrja ka 9.5 milion borxh, nuk ka mekanizma dhe aftësi teknike dhe fizike për ta bë atë punë. Kush e ndihmon ndërmarrjen duhet shikuar mirë sepse ka pasur paraqitje që ndihmohet falë. Në këto kohëra krize askush nuk ndihmon falë. Duhet parë mirë dhe të japin sqarime të detajuara. Ne jemi të gatshëm të votojmë atëherë kur do kemi sqarime një javë apo tre katër ditë para mbajtjes së seancës”, thotë Hamdi Sulejmani, këshilltar “Më mirë për Tetovën”.

Kreu i këshillit komunal Besar Durmishi thotë se kërkesa u bë me qëllim uljen e harxhimeve. Ai pohon Ndërmarrja ka kapacitete vetanake për mirëmbajtjen dimërore, ndërsa në seancën tjetër këshilltarëve do tu dorëzohet raporti i detajuar.

“Kemi dashur që ingerencat t’ia kalojmë ndërmarrjes sepse ka resurse njerëzore, ka prokurim të hapur për naftën dhe ka mjete të disponueshme që mund të menaxhon me borën dhe me këtë do të ulim dukshëm harxhimet. Pavarësisht kësaj, këshilltarët do të kenë specifikacion të detajuar edhe pse në çdo raport tre mujor sillet raporti që kërkohet nga këshilltarët. Por normalisht për aq ditë sa është punuar do mundohen që të sjellin raport të detajuar por megjithatë duhet të kalojnë tre muaj që të përmbyllet procesi i mirëmbajtjes dhe të sjellin raport për tre muaj”, u shpreh Besar Durmishi, kryetar i këshillit komunal Tetovë.

Nga ndërmarrjen publike komunale “Tetova” thonë se edhe përkundër mos delegimit të ingerencave, Ndërmarrja nuk has në vështirësi për kryerjen e punëve rreth mirëmbajtjes dimërore, por delegimi i kompetencave, do të rriste edhe kompetencat mbi menaxhimin më të lehtë me mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit.

Ingerencat për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve që prej afro një dekade, i ka pasur komuna e Tetovës, e cila vetë ka hapur tenderin dhe ka përzgjedhur kompaninë për mirëmbajtjen dimërore, gjë kjo që ka kapur një kosto tejet të madhe. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button