Tetovë vozitja mbi shpejtësinë e lejuar, dukuri e shpeshtë

Tetovë vozitja mbi shpejtësinë e lejuar, dukuri e shpeshtë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Vozitja e shpejtë në vende të banuara po bëhet shkak për aksidente të shumta, të cilat, madje jo rrallë, përfundojnë edhe me lëndime të rënda trupore, ose siç ishte ajo e fundit në rrugën e Kodrës së Diellit, edhe me viktima. Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë thonë se është rritur numri i gjobave për vozitje të shpejtë.

“Nëpër vendbanime shpejtësia maksimale e lejuar është 50 kilometra në orë, ndërsa në afërsi të shkollave dyzet kilometra në orë, por shpesh hasim në shofer kokëfort që s`iu binden rregullave. Ne si SPB Tetovë përditë bëjmë kontroll matjeje me radar, marrim masa adekuate. Vetëm gjatë javës së kaluar, nëpër vende banimi janë shqiptuar 63 masa ndaj shoferëve që nuk i kanë respektuar rregullat e trafikut sa i përket shpejtësisë dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba në vlerë nga 45 – 400 euro”, shtoi Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.

Sipas Rexhepit rrugët ku tejkalohet shpejtësia janë bulevardet, si ai Industrial, Liria dhe Bllagoja Toska. Ndërkohë të rrezikuar janë edhe banorët e fshatrave Poroj dhe Xhepçisht. Banorët thonë se janë të detyruar të vendosin më shumë pengesa, me qëllim që sidomos, të ndjehen më të sigurt.

“Jo nga një por nga dy a tre viktima në vit ka, vozitin pa kontroll këtu. Kishim probleme, policia s’vinte andaj u detyruam të vëmë pengesa në rrugë. Duhet të ketë kontroll polic më shpesh”, tha një banor.

“Sigurisht kjo rrugë përbën rrezik për banorët dhe duhet të ketë kontrolle të shpeshta nga policia dhe mjete për matjen e shpejtësisë. Duhet të kemi edhe vizbardha për banorët, apo mbi kalim”, theksoi një banor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button