Teuta Arifi për ambasadore, opozita: Propozim i turpshëm dhe skandaloz
Gazetar: Adrian Kerimi
Propozimi i Teuta Arifit për ambasadore në Bruksel dhe drejtorit aktual të ASK-së, Viktor Dimovski për ambasador në Francë sipas opozitës konfirmon faktin se Qeveria shpërblen njerëzit të cilët kanë dështuar në menaxhimin e institucioneve në të cilat janë emëruar. Kreu i ASH-së, Ziadin Sela thotë se propozimi i Arifit paraqet skandal për shkak të keqpërdorimeve të shumta, përfshirë edhe pagat për qindra personat e angazhuar në komunë, por që nuk kishin bërë asnjë punë.
“Zonja Teuta Arifi me atë që pamë në opinion ka bërë 800 kontrata të njerëzve të cilët rrinë në shtëpi dhe që janë paguar, ose nuk janë paguar dhe ato para kanë përfunduar diku tjetër. Akoma më skandaloze tjetra, drejtori i Sigurimit Shtetëror përgjegjës për kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut të shpërblehet me një post ambasadori”, deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizje Besa, Arjanit Hoxha thotë se Arifi e cila la komunën e Tetovës me 24 milionë euro borxh si ambasadore e ardhshme nuk paraqet vlerë as për BDI-në dhe as për shtetin që do ta përfaqëson.
“Nëse nuk turpërohesh bëj çfarë të duash. Fakti që të propozosh një kryetare komune që ka lënë në kaq borxhe Tetovën, në kaq situatë të mjerueshme qytetarët, që nuk ka ofruar asnjë vlerë politike në përfaqësimin e shqiptarëve mendoj se nuk i bën nderë as BDI-së dhe as shtetit”, tha Arjanit Hoxha, Sekretar i Lëvizjes Besa.
I pyetur se mbi çfarë merita propozohet Tauta Arifi e cila humbi bastionin e BDI-së Tetovën dhe mbi cilat arsye bazohet propozimi i Viktor Dimovskit i cili ikën nga ASK duke lënë pezull rreth 2.500 kërkesa për shtetësi, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, Arifin e mbrojti ndërsa Dimovskin e shfajësoi.
“Tani kjo është një çështje të cilën unë nuk mund tua konfirmoj juve se zoti Dimovski i ka lënë shqiptarët pa shtetësi nënshtetësi sepse edhe kjo çështje është e etnizuar dhe e politizuar. Zonja Arifi ka qenë zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane. Si proces e njeh këtë proces”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Përveç Arifit në Bruksel dhe Dimovskit në Paris, Qeveria ka propozuar edhe Driton Kuçin për ambasador në Norvegji dhe Zoran Popov ambasador në SHBA. /Alsat.mk








