“The Guardian”: Shqiptarët të gatshëm të ndihmojnë pa pagesë Britaninë për të dalë nga kriza me karburante

Shqipëria ka thënë se mijëra emigrantë të saj në Mbretërinë e Bashkuar do të ishin të gatshëm të punonin pa pagesë për të ndihmuar në kalimin e krizës së karburanteve.

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Qirjako Qirko, i tha britanikes “Guardian”: “Nëse qeveria juaj do të donte, ne mund të ofrojmë shoferë të mirë të besueshëm, ndoshta 5,000 menjëherë”.

Ai pretendoi se shumë prej 150,000 shqiptarëve që jetojnë në MB do të punonin nga mirënjohja për nikoqirët e tyre britanikë. Meqenëse një numër i konsiderueshëm besohet të jetë i padokumentuar, është e pamundur të dihet se sa janë shoferët e kualifikuar për kamionë të gjatë (HGV).

Por Qirko, i cili sapo kishte kaluar një orë në radhë për benzinë ëpa sukses, tha se ai besonte se shumë shqiptarë në Britani ishin shoferë kamionësh që mund të ndihmonin për të kompensuar mungesën e tyre që vlerësohet se shkon deri në 100,000.

“Shqiptarët janë gati të punojnë pa pagesë që qeveria britanike të kapërcejë këtë problem. Unë nuk e di nëse ata kanë licencat e duhura, por nëse do të kishin, jam i sigurt që të gjithë këtu do të thoshin ‘Unë mund të ndihmoj’”, tha Qirko.

Ambasadori shqiptar përmendi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në 1999 për shpëtimin e qindra shqiptarëve etnikë dhe tha: “Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar do të punonin falas për këtë vend për shkak të asaj që ky vend ka bërë për ta… Ne i jemi mirënjohës përgjithmonë qeverisë dhe ushtrisë së këtij vendi, për atë që bënë për vëllezërit tanë në Kosovë”.

Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, ka shpresa për t’u bashkuar me BE-në, por në vitin 2019 Franca bllokoi hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në vitin 2017, dy herë më shumë shqiptarë u kapën si klandestinë në portet e Mbretërisë së Bashkuar se çdo kombësi tjetër, treguan shifrat e Ministrisë së Brendshme britanike. Këtë vit, sekretarja e brendshme britanike, Priti Patel, nënshkroi një marrëveshje për të larguar shtetasit shqiptarë pa të leje për të qenë në MB.

Qirko u bëri thirrje britanikëve që t’i shohin shqiptarët si një pasuri dhe jo si një problem, duke u ankuar se ata shpesh portretizohen si anëtarë bandash, shpërndarës droge dhe trafikantë njerëzish, përfshirë nga organet qeveritare si Agjencia Kombëtare e Krimit.

“Sigurisht, ka disa njerëz nga komuniteti im që janë të përfshirë në aktivitete kriminale, por pse është kaq e nevojshme të përmendet kombësia e tyre? Kombësia nuk ka të bëjë me krimin. Ju nuk thoni që dikush është një kriminel homoseksual ose lezbik, prandaj pse thoni se ka “kriminelë shqiptarë”?”

Ai shtoi: “Duke përmendur kombësinë krijoni një perceptim negativ, në lidhje me të gjithë komunitetin këtu që po bën një punë të ndershme. Shqiptarët që vijnë këtu nuk janë kriminelë. Ata janë njerëz që duan një jetë më të mirë”.

Në vitin 2019, Qirko kritikoi autoren e “Fifty Shades of Grey”, EL James për portretizimin e saj ndaj shqiptarëve në romanin e saj “The Mister”, për një shërbëtore në Londër e cila ishte trafikuar. Qirko ka një kopje të letrës së Jamesit si përgjigje në tryezën e tij. Ajo shkroi: “Gjatë hulumtimit tim për romanin, unë vërtet vizitova Shqipërinë dhe zbulova se ishte një vend jashtëzakonisht i bukur. Dhe njerëzit e saj të jenë të ngrohtë dhe mikpritës”.

Qirko tha: “Unë jam i gatshëm t’u dal në ndihmë njerëzve të mi. Ata nuk janë kriminelë, ata janë punëtorë dhe të ndershëm”.

Ushtria do të fillojë të dërgojë karburant në zonat të ndryshme të hënën, mes raporteve se Anglia jug-lindore po përjeton mungesa në rritje. Çmimet e karburantit po rriten, ku raportohet se një pompë benzine në Londër po e shet 2.93 funtë një litër benzinë super pa plumb.

LEXO EDHE:

Back to top button