Thirrje raciste në ndeshjen me Bashkimin, “Komitët” shkelin ligjin – a do të ketë ndëshkim?
Thirrje raciste në ndeshjen me Bashkimin, “Komitët” shkelin ligjin – a do të ketë ndëshkim?
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se do të sanksionojë tifozët e tifo grupit “Komiti” që brohoritnin thirrje nacionaliste kundër shqiptarëve në ndeshjen e së shtunës mes Vardarit dhe Bashkimit.
Konfirmojnë se është kryer vepër penale “dhunë dhe sjellje e pahijshme në ndeshje sportive” e për të cilën parashihet gjobë me të holla në vlerë nga 600 deri në 1000 euro për personat fizik ndërsa 1500 deri 5000 euro për klubin nëse nuk parandalon një sjellje të tillë.
Megjithatë, MPB nuk zbulon nëse ka arritur të identifikojë personat që brohoritnin me fjalë fyese dhe nëse të njëjtin janë marrë në pyetje.
“Është kryer shkelje në nenin 3 paragrafi 3, dhe e dënueshme nga neni 13 paragrafi 1 nga ligji për parandalim të dhunës dhe sjelljes së pahijshme në ndeshje sportive. Lidhur me lartëpërmendurën si dhe me shkelje të tjera eventuale të konstatuara, do të ndërmerren masa të përshtatshme ligjore për sanksionimin e tyre”, thonë nga MPB.
Alsat disa herë tentoi të bie në komunikim edhe me zv.ministrin e Punëve të Brendshme Astrit Isenin por edhe me kabinetin e tij, por i njëjti nuk e pa të arsyeshme t’i përgjigjet thirrjeve dhe sms-porosive tona.
Ofendimet në bazë etnike nuk janë të vetmet që po ndodhin në ndeshje sportive. Në gushtin e kaluar, e njëjta ndodhi edhe në një ndeshje basketbolli në Kumanovë, madje në prezencë edhe të kryeministrit Mickoski e ministrit të Brendshëm Toshkovski. Kur u pyet pak ditë më vonë, tha se nuk ka dëgjuar asnjë gjuhë të urrejtjes. Alsat kërkoi të dhëna edhe për këtë ngjarje por nga MPB nuk japin detaje sa persona janë identifikuar dhe sa janë sanksionuar. Shkurt thonë se kanë ngritur kallëzim deri te Prokuroria Themelore e Kumanovës.
Zv.kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai, bëri thirrje deri te Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe të shqiptohen sanksione të nevojshme ndaj individëve dhe klubit me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten./ Alsat.mk








