TikTok padit qeverinë amerikane


Aplikacioni kinez, TikTok ka vendosur ta padisë qeverinë amerikane rreth tentimeve të kësaj të fundit për të ndaluar shërbimet e platformës së popullarizuar, me arsyetimin e shqetësimeve për siguri kombëtare.

Ankesa ligjore, që është dorëzuar më 24 gusht në Kaliforni, argumenton se qeveria amerikane ka injoruar përpjekjet e kësaj kompanie për t’i adresuar shqetësimet që ka ngritur.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv më 6 gusht, duke ndaluar transaksionet me pronarët e aplikacionit kineze TikTok brenda 45 ditëve, duke përmendur shqetësimet se TikTok mund të përdoret për fushata dezinformuese nga të cilat përfiton Partia Komuniste në Kinë.

Ndaras këtij vendimi, administrata Trump i ka dhënë afat kompanisë ByteDance, që menaxhon TikTokun, që të heqë dorë nga aplikacioni i videove para se të ndalojë atë në SHBA.

Në padinë e TikTokut në anën tjetër nuk është duke u sfiduar urdhri për shitje.

Dy kompani të mëdha si Oracle dhe Microsoft kanë shprehur interesim për blerje të shërbimeve të këtij aplikacioni në SHBA.

TikTok është aplikacion i popullarizuar në mesin e adoleshentëve dhe audiencës së moshave të reja, që përdorin atë për të shikuar video disa sekondëshe.

Vlerësohet që rreth 1 miliard persona e përdorin këtë aplikacion në gjithë botën.

Kompania kineze në anën tjetër insiston që nuk ndan të dhënat me Pekinin.

LEXO EDHE:

Back to top button