Tragjedia në Bullgari, qeveria shpalli tri ditë zie në gjithë vendin

Adrian Kerimi

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli tre ditë zie në të gjithë territorin për shkak të tragjedisë së shkaktuar nga aksidenti i autobusit me shtetas të Maqedonisë në Bullgari. Flamujt janë ulur në gjysmështizë. Ditë zie shpalli edhe Komuna e Bllagoevgradit, në territorin e të cilës ndodhi tragjedia.

Në orët e para pas mesnate 46 persona, kryesisht shtetas të Maqedonisë së Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë. Në mesin e viktimave janë 12 fëmijë ndërsa shtatë i kanë mbijetuar aksidentit dhe janë dërguar për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje.

Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona, të cilët gjatë fundjavës kishin qëndruar në Stamboll. Shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar, ndërsa nga hetimi sipërfaqësor mësohet se autobusi mund të ketë goditur një parmak, por edhe një defekt me sistemin e ngrohjes pas çka autobusi ka marrë flake.

Bullgaria viteve të fundit është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse.
Aksidenti i fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë. Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve të vështira në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësia e tejkaluar. Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore në vitin 2019 dhe 463 vitin e kaluar./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button