Trajneri Spaleti kërkon rinisjen e bardhezinjve për sfidën me Komon
Pas humbjeve të fundit kundër Interit dhe Gallatasarajit në Ligën e Kampionëve, Juventusi ndodhet në një moment vendimtar të sezonit
Bardhezinjtë presin sot në “Allianz Stadium”, Komon, në një ndeshje që mund të jetë kyçe për garën e vendit të katërt në Serie A dhe për rikthimin e moralit të skuadrës. Trajneri Luçiano Spaleti e ka bërë të qartë se fjala kyçe është “rinisja”.
“Duhet të pranojmë rezultatet e fundit dhe tani të vendosim se si do të reagojmë. Kjo dhimbje duhet ta përdorim si një elastik që na shtyn drejt sfidës së radhës”, tha ai.
Skuadra bardhezi ka disa mungesa të rëndësishme. Bremer nuk do të jetë në dispozicion, ndërsa Dejvid është i grumbulluar, por mund të mos ketë forcën për të luajtur 90 minuta. Në mungesë të Kalulu, Bremer dhe Holm, rolet e mbrojtjes dhe të krahut të djathtë janë sfiduese, duke bërë që rëndësia e MeKeni të jetë vendimtare. Spaletti gjithashtu vlerësoi energjinë dhe kontributin shpirtëror të Lokatelit.
“Lokateli duket se nuk ndjen lodhjen, për mënyrën si e shoh në aspektin e shpirtit dhe të kontributit ndaj shokëve”, vazhdoi më tej.
Një nga temat kryesore është pezullimi i Pierr Kalulu, i përjashtuar në ndeshjen ndaj Interit. Juventusi kërkoi falje sportive nga presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina, por kërkesa u refuzua. Kjo e bën francezin të pamundur për ndeshjen ndaj Komos.







