Transporti publik në Tetovë, studentët do të paguajnë më shumë se sa zyrtarët

Miratimi i çmimores së Ndërmarrjes për Transport Publik në Tetovë, ka përplasur këshilltarët e pushtetit dhe të opozitës. Opozita reagoi ndaj vendimit që bileta mujore për studentët të jetë më e shtrenjtë se sa për të punësuarit në Komunë. Këta të fundit do të paguajnë 450 denarë, ndërsa studentët 600 denarë. Në Shkup, bileta për transportin e studentëve është pa pagesë.

“Nuk ka kuptim që të punësuarit e Komunës së Tetovës të paguajnë më pak se studentët që nuk janë të punësuar.  Studentët patjetër të kenë çmime më të lira se sa të punësuarit e komunës së Tetovës”, tha Arfi Selami, AASH.

“Është një disbalancë i çmimeve sepse grupi që kanë të hyra e kanë çmimin më të lirë se sa studentët që nuk kanë aspak të hyra. Pra studentëve që duhet t`iu ndihmojmë e kanë çmimin më të lartë, dhe një grup nuk ishte vendosur, pra rastet sociale që nuk kanë aspak të hyra”, pohoi Besar Durmishi, BESA.

Drejtori i ri i ndërmarrjes për transport të Tetovës, Fejsal Beadini, tha se ky vendimi është marrë me qëllim stimulimin e të punësuarve të administratës për të përdorur transportin publik, ndërsa premtoi se, në mbledhjen e ardhshme, ky çmim do të korrigjohet.

“Fillimisht duhet të fillojë të funksionojë ndërmarrja, pastaj konform analizave dhe të dhënave kthyese mund të parashtrojmë edhe ndryshimin e çmimeve  të kartave dhe futjen e kategorive të tjera të shoqërisë”, tha : Fejsal Beadini, UD drejtor i Ndërmarrjes për transport Tetova.

Përveç vendimit për çmimet e biletave të ndërmarrjes, sot kësaj ndërmarrjeje iu dhanë në pronësi edhe pesë autobusët e ri, të cilët pritet të futen në funksion gjatë mesit të muajit mars.

 

Bashkim Sulejmani                                     

LEXO EDHE:

Back to top button