Transportuesit privat paralizojnë Shkupin, bllokadat deri në arritjen e marrëveshjes

Transportuesit privat paralizojnë Shkupin, bllokadat deri në arritjen e marrëveshjes

Gazetar: Mefail Ismaili

Mbi 200 autobusë, në orën gjashtë të mëngjesit, janë parkuar në udhëkryqin tek Q.T. “Mavrovasja”, në atë afër Kryqit të Kuq si dhe në rrugën “Ilindenska”, prej tek Fontana e Parkut të Qytetit e deri tek salla Boris Trajkovski. Transportuesit privat thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër për të marrë paratë që i kanë punuar. Sjelljen e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e vlerësojnë si të papërgjegjshme dhe dëshpëruese.

“Unë i kam pesë autobusë, i kam pasur drejtë e mi e kanë punuar këtu, janë detyruar të ikin, ta lëshojnë këtë vend e të shkojnë jashtë. Vetë shteti ua ka imponuar që mos mund të ketë ekzistencë këtu, sepse ne këtu kemi lindur, këtu jetojmë, për këtë shtet mundohemi. E sot ka ardhur momenti rinia jonë të na ikë krejt jashtë”, tha Ramiz Leskovica, transportues privat.

Transportuesit privat thonë se ndjejnë keqardhje të thellë për qytetarët, por thonë se janë detyruar nga kryetarja e Qytetit.

“Pasi kemi tentuar shumë herë, gati një vit që të takohemi me kryetaren e qytetit, nuk është treguar mirëkuptim, puna është përkeqësuar, kemi ardhur deri në këtë gjendje tani pasi kemi qenë të detyruar që të bllokojmë rrugët dhe të vazhdojmë me këtë”, tha Hisen Alili, transportues privat.

Lenin Jovanovski nga Slloboda Prevoz thotë se në mbledhjen e fundit të trupit koordinues të transportuesve privatë, është vendosur që autobusët të mos largohen nga rrugët e Shkupit derisa të ketë zgjidhje për pagesën e borxhit. Ai shton se nëse nuk ka zgjidhje, nuk përjashtohet mundësia në protestë të dalin edhe familjarët e transportuesve.

“Nuk kanë fytyrë që ti shohin në sy transportuesit. Pasi këto transportues bashkë me mua e mbështetën kryetaren në fushatën zgjedhore. Ajo u premtonte kushte më të mira, ulje të borxhit, se do të bisedohet për të ardhurat që fitojnë e që janë minimale, se gjendja do të përmirësohet. Përkundrazi fituan tërësisht diçka tjetër, të papritur… Do ti thirrin edhe familjet, do i thirrin edhe fëmijët e tyre që më mund ti shohin, që kryetarja nëse ka ndërgjegje le të dalë le të organizojë tu japë ushqim, sepse ata (transportuesit privat) ankohen se nuk kanë çka tu japin fëmijëve për ushqim kur i dërgojnë në shkollë”, deklaroi Lenin Jovanovski, Slloboda Prevoz.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska nuk iu përgjigj thirrjeve të gazetarëve. Problemi mes Arsovskës dhe Transportuesve Privat filloi për shkak të borxhit prej rreth dy milion euro që Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik i ka ndaj transportuesve. Revoltë u shkaktua kur Arsovska tha se nuk u ka aq borxh transportuesve. Për shkak se transportuesit privat ndaluan të qarkullojnë nëpër qytet, duke thënë se nuk kanë para për naftë, Arsovska prishi kontratat me “Slloboda Prevoz” dhe “Makekspres Trans”, veprim i cili i shtyu transportuesit të dalin në rrugë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button