Gagzetar: Mihajllo Donev
Tre persona humbën jetën dhe dy u lënduan në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi herët në mëngjes në Shtip-Radovish, pranë urës së lumit Baltaliska, kur një furgon që transportonte punëtorë doli nga rruga.
“Në rrugën e shpejtë Shtip-Radovish, pranë urës së lumit Baltaliska, afër fshatit Lakavicë të Shtipit, automjeti transportues “Fiat Ducato” me targa të Strumicës, pronë e një personi juridik nga Strumica dhe i drejtuar nga M.D. nga fshati Illovicë, Strumicë, ka dalë nga ura. Nga ekipi i ndihmës së shpejtë mjekësore është konstatuar vdekja e tre personave meshkuj, ndërsa shoferi dhe një tjetër person mashkull i lënduar janë dërguar në Spitalin Klinik të Shtipit për të marrë ndihmë mjekësore”, deklaroi Goce Andrejevski – zëdhënës i MPB-së.
Në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë, prej të cilëve njëri është me lëndime më të rënda. Prokuroria Themelore Publike (PTHP) e Shtipit njoftoi se punëtorët e vdekur janë nga Nepali dhe Bangladeshi.
“Me furgonin po transportoheshin punëtorë të angazhuar nga një kompani e Strumicës. Në aksident humbën jetën tre punëtorë, prej të cilëve, sipas informacioneve të para, dy janë nga Bangladeshi dhe një nga Nepali, ndërsa një person është lënduar rëndë. Shoferi ka marrë lëndime të lehta. Po zhvillohen biseda me dëshmitarët okularë, ndërsa trupat janë dërguar për obduksion”, njoftojnë nga PTHP Shtip.
Prokuroria shton gjithashtu se po ndërmerren veprime për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe, me urdhër të prokurorit publik, do të kryhet edhe ekspertizë. /Alsat.mk








