Tre vjet nga Marrëveshja e Prespës, pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara

Tre vite më parë, në Prespë u nënshkrua Marrëveshja që i dha fund kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë mbi çështjen e emrit kushtetues. Bllokada që kishte lënë Maqedoninë e Veriut me vite në vendnumëro, u hoq pas paktit të nënshkruar nga ministrat e Jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias.

Miratimi i Marrëveshjes në Kuvend dhe ndryshimet kushtetuese i hapën vendit rrugën për anëtarësim në NATO. Sot pas tre viteve, LSDM-ja, lideri i së cilës ishte bartës i procesit vlerëson se Marrëveshja e Prespës paraqet paktin më të rëndësishëm diplomatik në histori të vendit.

Bota dhe bashkësia ndërkombëtare dhanë vlerësimin e tyre mbi Marrëveshjen e Prespës si fuqi e diplomacisë dhe dialogut. Si model për shumë çështje të tjera. Çdo problem është i ndryshëm dhe specifik, por dialogu dhe diplomacia mbeten qasja më e mirë për zgjidhjen e tyre – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, Marrëveshja e Prespës është po aq e rëndësishme sa ajo e Ohrit.

Kjo marrëveshje do të mbetet një moment që krijon më shumë siguri dhe stabilitet, jo vetëm në vendin tonë por edhe në tërë rajonin dhe vetë Evropën – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

VMRO-DPMNE-ja e cila kundërshtonte ashpër Marrëveshjen e Prespës, vlerëson se përgjegjësia mbetet tek promotorët e idesë së Prespës dhe gënjeshtrat e tyre për datën e negociatave me BE-në.

Tri vite pas marrëveshjes, mungon vetëm Angjushev dhe data për bisedime me BE-në, por mbetet kujtimi dhe fotografia legjendare e trios Zaev-Osmani-Dimitrov si promotorë kryesor të këtij manipulimi – njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Aleanca për Shqiptarët e cila kishte mbështetur ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe ndryshimet kushtetuese, shprehin keqardhje për fatin e paktit diplomatik.

Edhe pas tre viteve, ende nuk është arritur qëllimi kryesor i Marrëveshjes së Prespës, ndërsa nuk ndjehet as fryma e këtij dokumenti. Vendi ynë është ende larg hapjes së bisedimeve me BE-në edhe pse për tre vite, Qeveria të paktën tri herë ka gënjyer qytetarët – thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Në përvjetorin e Marrëveshjes së Prespës, ish kryeministri grek Tsipras ka kërkuar nga pala bullgare të veprojë me konstruktivitet në raport me Maqedoninë e Veriut dhe të tregojë vullnet politik për zgjidhjen e kontestit.

Adrian Kerimi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button