“Treni bullgar”, VLEN nesër padit anëtarin e Këshillit Zgjedhor në Likovë

“Treni bullgar”, VLEN nesër padit anëtarin e Këshillit Zgjedhor në Likovë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Koalicioni VLEN ka përgatitur padi penale për një anëtar të këshillit zgjedhor të vendvotimit numër 1112/1 në Likovë, pas dyshimeve se në këtë vendvotim, ka pasur të ashtuquajtur “tren bullgar”. Padia ndaj njërit nga anëtarët e vendvotimit të lartpërmendur, sipas avokatit të VLEN-it, Abedin Abduli, do të dorëzohet gjatë ditës së nesërme.

“Padinë penale e kemi të përgatitur por shkaku i festave nuk kemi mundur ta dorëzojmë këto ditë andaj do e lëshojmë nesër. Padia penale është kundër personit Alisan Ramani, i cili, si anëtar i vendvotimit 1112/1 në komunën e Likovës, ka bërë shkelje të procesit zgjedhor, gjegjësisht i njëjti iu ka dhënë më shumë se një fletëvotimi, personave të caktuar që kanë ardhur për të votuar”, deklaroi Abedin Abduli, Avokat i koalicionit shqiptar VLEN.

Abduli thotë se këshillat zgjedhor duhet të respektojnë Kodin zgjedhor, ose në të kundërtën do të përballen me procedurë të ngjashme.

“Më së pari bëj thirrje dhe lus të gjithë anëtarët e këshillave zgjedhor që të kenë shumë kujdes në procesin zgjedhor dhe t’i përmbahen rregullave dhe Ligjit sepse, dënimet për prishjen e procesit zgjedhor sidomos nga anëtarët e komisioneve zgjedhore janë shumë të larta. Vepra për të cilën ne do lëshojnë padinë penale parasheh më së paku pesë vite burg, andaj duhet të jenë shumë të kujdesshëm në veprimet që do t’i ndërmarrin, sepse do të përgjigjen në një shtet të së drejtës që do funksionojë pas 8 majit”, tha Abedin Abduli, Avokat i koalicionit shqiptar VLEN.

KSHZ-ja ditë më parë me shumicë votash shkarkoi të gjithë anëtarët e këtij vendvotimi pasi Gjykata Administrative mori parasysh padinë e kandidatit Arben Taravari dhe prishi vendvotimin 1112/1 në Likovë. Sipas ankesës së VLEN, në këtë vendvotim nuk janë përputhur të dhënat e votuesve të regjistruar dhe fletëve të votimit në kuti, me çka, kanë munguar fletë votimi. Opozita gjatë ditës së zgjedhjeve akuzoi për vjedhje votash, gjegjësisht për metodën e quajtur “tren bullgar” në këtë vendvotim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button