Trotuaret e bllokuara në Tetovë, filloristët të rrezikuar në trafik
Makina të parkuara në trotuar që pengojnë lëvizjen e filloristëve, mungesë shenjash dhe në të shumtën e rasteve edhe mungesë e policëve për të evituar këto pengesa për nxënësit. Kjo është fotografia e përditshme që shfaqet në rrugët përpara Shkollave Fillore në Tetovë. Drejtorët thonë se si pasojë e mungesës së sinjalizimit dhe trotuareve të bllokuara, shpesh ndodhin aksidente.
“Ndër rrugët më të rrezikshme për fëmijët ku shpesh ka pasur edhe aksidente, është pikërisht kjo rrugë që kalon kah shkolla fillore “Istigball” dhe gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”,. Ku për pasojë vitin e shkuar, nga një vozitës i pakujdesshëm u godit sërish edhe një vajzë, e cila për fat të mirë, përfundoi me lëndime të lehta. Drejtuesit e shkollës thonë se kanë bërë kërkesë që të paktën kjo rrugë të bëhet një kahëshe dhe të ketë rregullisht prezencë fizike të policisë por, edhe më tej ka mbetur vetëm kërkesë”.
Rreziku është shumë i madh, sidomos para shkollës tonë, dhe kemi nevojë për prezencë fizike të policisë, dhe të vihen shenja në rrugë. Ne kemi bë edhe kërkesë që kjo rrugë të bëhet njëkahëshe sepse kemi fëmijë të vegjël. Të njëjtën kohë këtu graviton edhe gjimnazi dhe këtu bëhet kaos i madh gjatë ditës. Ka pas rast nga shoferë të pakujdesshëm vitin e kaluar dhe para dy vitesh një vajzë e goditën – tha Zulqufli Ziberi, Pedagog Sh. F. “Istigball”.
Po ka nevojë për më tepër shenja por më tepër ka nevojë për organet e rendit që të bëjnë pastrimin e trotuareve që të lëvizin lirshëm këmbësorët, qoftë nxënësit apo prindërit. Ka nevojë të vendosen edhe shenjat por nga mema e deri tek Arabati lartë sepse tek pjesa e shkollës në 100 metra i kemi këto shënimet horizontale dhe vertikale të komunikacionit – u shpreh Xhelal Alili. Drejtor i Sh.F. “Naim Frashëri”.
Nga sektori i punëve të brendshme të Tetovës, mungesën e prezencës fizike të policisë para shkollave fillore e arsyetojnë me numrin e vogël të nxënësve që gjatë kohës së pandemisë frekuentojnë shkollë.
Bashkim Sulejmani