Trump: Kjo administratë nuk do të vendosë masën e izolimit, vaksina deri në prill

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sinjalizuar se ai mund të mos e fitojë Shtëpinë e Bardhë, por e nuk pranoi humbjen, derisa epërsia e pakapërcyeshme e demokratit, Joe Biden, u zgjerua dhe republikanët pësuan më shumë pengesa në sfidat e gjyqësore në tre shtete.

- Advertisment -

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, më 13 nëntor, për vaksinat kundër koronavirusit, Trump përsëriti zotimin për të mos vendosur masën e izolimit.

“Kjo administratë nuk do të vendosë një bllokim. Shpresojmë, çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kush e di se cila administratë do të jetë, mendoj se koha do ta tregojë. Por unë mund t’ju them, kjo administratë nuk do të vendosë një izolim”, tha Trump.

Presidenti Trump ka njoftuar se vaksinat ndaj koronavirusit do të jenë në dispozicion gjerësisht deri në prill të 2021-ës.

Numri i të infektuarve me koronavirusin e ri po rritet në Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja shënoi më shumë se 150,000 të infektuar më 13 nëntor. Numri i njerëzve që janë të shtruar në spital me COVID-19 është dyfishuar në dy javët e fundit në 66,000.
Konferenca për media e Trumpit, ishte e para që prej se mediat amerikane, fundjavën e kaluar e shpallën fitues të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, Joe Bidenin.

Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe të fillojë një tranzicion presidencial, duke parandaluar që ekipi i Bidenit të ketë qasje në agjencitë federale, fondet dhe informacionet e inteligjencës.

Në vend të kësaj, republikanët dhe avokatët e Trumpit kanë filluar një seri betejash të ashpra ligjore kundër rezultateve në disa shtete.
Që nga mbajtja e zgjedhjeve, Trump ka qëndruar kryesisht i qetë, duke dalur nga Shtëpia e Bardhë – dy herë – për të luajtur golf, dhe për të marrë pjesë në një ceremoni të shkurtër të Ditës së Veteranëve në Varrezat Kombëtare të Arlington.

Por, në rrejtin social Twitter, ai ka qenë aktiv duke shfryrë zemërimin ndaj rezultateve të zgjedhjeve dhe duke përhapur akuza të pabazuara për mashtrim dhe parregullsi të votuesve.

Më herët më 13 nëntor, gjykatat në tre shtete – Arizona, Miçigan dhe Pensilvania – refuzuan proceset gjyqësore të fushatës Trump.

Kjo është parë si një goditje e fundit ndaj përpjekjeve ligjore të presidentit, për të përmbysur fitoren e Bidenit.

Trump foli menjëherë pasi rrjetet televizive amerikane shpallen rezultatet në dy shtetet e fundit të padeklaruara. Sipas tyre Biden fitoi Xhorxhian, ish-bastionin e republikanëve në një garë jashtëzakonisht të afërt, dhe Trump fitoi Karolinën e Veriut.

Megjithatë AP dhe disa media të tjera ende po raportonin se gara në Xhorxhia ishte ende shumë afër për të përcaktuar rezultatin.

Nëse rezultatet nga Xhorxhia konfirmohen, Biden do të ketë një epërsi të gjerë 306-232 ndaj Trump në Kolegjin Zgjedhor që vendos përfundimisht për fituesin.

Kandidatëve u duhen 270 vota të Kolegjit për të fituar Shtëpinë e Bardhë./REL/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button