Trump premton 5,000 dollarë për çdo votues nëse fitojnë republikanët
Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se do t’i paguante çdo amerikan të rritur një “dividend Trump” prej 5,000 dollarësh nëse republikanët mbajnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit.
“Nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin – të dyja dhomat për shkak të fuqisë dhe suksesit tonë të jashtëzakonshëm ekonomik, unë do të paguaj një divident prej 5,000 dollarësh për çdo qytetar të rritur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kushti i vetëm është që ky divident duhet të shpenzohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Trump në Dallas në konventën e parë të Partisë Republikane kushtuar zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Megjithatë, raporton Reuters, nuk ishte menjëherë e qartë se si do të kryheshin pagesat ose nëse ato do të ishin të ligjshme. Duke pasur parasysh se në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 270 milionë të rritur, ndërmarrja do të kushtonte afërsisht 1.35 trilion dollarë.
Gjatë fjalimit të tij, Trump u mburr se kishte pasur “dy vitet më të mira në historinë e presidencës”, duke e vendosur veten në qendër të zgjedhjeve pavarësisht rënies së vazhdueshme të popullaritetit të tij. Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse fjalimi i tij, i ngjashëm me ato të fushatës parazgjedhore, do t’u pëlqente votuesve kryesorë të pavendosur të cilët, sipas sondazheve, janë larguar nga partia e Trump për shkak të pakënaqësisë në rritje me koston e jetesës dhe luftën me Iranin, analizoi agjencia e lajmeve.
“Nëse ua lëmë të ardhmen e Amerikës demokratëve të së majtës radikale, vendit tonë do t’i duhet e gjithë dekada e ardhshme vetëm për t’u rikthyer në këmbë. Votoni republikanët dhe do ta lëmë pjesën tjetër të botës shumë prapa, dhe për breza me radhë”, tha Trump.
Tubimi dy-ditor në Dallas, ku Trump do të mbajë një fjalim përmbyllës pas një fjalimi kryesor nga zëvendëspresidenti J.D. Vance, sipas Reuters, nënvizon shkallën në të cilën fati i republikanëve është i lidhur me Trump dhe shërben si një vitrinë për strategjinë e tyre përpara zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit.
Në fjalimin e tij, Trump mbrojti vendimin e tij për të sulmuar Iranin, duke thënë se veproi për të parandaluar Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore. Ai gjithashtu premtoi se çmimet e naftës do të binin “sapo të fitojmë luftën me Iranin”, gjë që ai tha se do të ndodhte së shpejti.
Ai tha gjithashtu se SHBA-të mund të sulmojnë vendndodhjen e Iranit në Malin Pickaxe, ku dyshohet se po ndërtohen objekte bërthamore thellë nën tokë, dhe i kërkoi Teheranit të jetë vigjilent. “Po shohim disa aktivitete në Pickaxe. Do ta këshilloja Iranin të mos bëjë shaka sepse do të na duhet t’i godasim shumë rëndë”, tha ai.
Shumica e folësve të tjerë në konventën republikane u përqendruan kryesisht në sulmet ndaj demokratëve, duke i portretizuar ata si ekstremistë në çështje të tilla si pjesëmarrja e grave transgjinore në sport dhe siguria kufitare.
Ata u quajtën gjithashtu “socialistë” dhe “komunistë”, ndërsa senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut i karakterizoi ata si “të rrezikshëm, radikalë dhe të çuditshëm”.








