Gazetare: Fatlume Dervishi
“Ne nuk duam të jemi amerikanë”, përsëritën partitë politike të Grenlandës në një deklaratë të përbashkët të premten në mbrëmje, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se SHBA-të do ta merrnin ishullin e madh Arktik “në mënyrën e lehtë ose të vështirë”.
“Ne nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi grenlandezë”, theksuan në një komunikatë udhëheqësit e pesë partive të Grenlandës të përfaqësuara në parlamentin lokal. “E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga populli i Groenlandës”, shtuan ata, duke përsëritur thirrjen e tyre që “SHBA-të të ndalojnë së mosrespektuari vendin tonë”.
Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë, gjatë një takimi me drejtuesit e naftës se pavarësisht nëse u pëlqen atyre ose jo, ai do të bëjë diçka për Grenlandën.
“Nuk po flas ende për para për Grenlandën. Mund të flas për këtë në të ardhmen. Por tani për tani, do të bëjmë diçka për Grenlandën, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo. Sepse nëse nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta marrin Grenlandën. Dhe ne nuk do ta kemi Rusinë ose Kinën si fqinj. Do të doja, do të doja të bënim një marrëveshje, e dini mënyrën e lehtë, por nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë. Meqë ra fjala, jam edhe një tifoz i Danimarkës, duhet t’ju them, dhe, e dini, ata kanë qenë shumë të mirë me mua. Jam një tifoz i madh, por për faktin që ata kishin një anije atje 500 vjet më parë nuk do të thotë se ata e zotërojnë atë tokë”, tha Trump.
Trump dhe zyrtarët e tij kanë treguar prej kohësh se duan të kontrollojnë Grenlandën për të rritur sigurinë amerikane dhe për të eksploruar marrëveshjet e biznesit dhe minierave. Shtëpia e Bardhë ka thënë se po shqyrtohen opsionet ushtarake. Por kryeministri i Danimarkës paralajmëron se kjo do të shënonte fundin e NATO-s. Edhe liderët e BE-ja janë shprehur kundër ndërhyrjes amerikane. Thonë se e ardhmja e Grenlandës duhet të jetë në duet e vendasve dhe në duart e Danimarkës.








