Tsikhanouskaya: Bjellorusia është zgjuar, nuk ka kthim mbrapa


Sfiduesja e presidentit të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u tha ligjvënësve evropianë se vullneti i popullit bjellorus për demokraci “nuk do të thyhet” nga dhuna pas-zgjedhore që bëjnë autoritetet në Minsk.

“Bjellorusët kanë treguar gjatë dy javëve të kaluara se nuk do të dorëzohen, përkundër shtypjes, frikësimit me forcë dhe kërcënimeve me burgim”, i tha Tsikhanouskaya Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, përmes një video-lidhjeje nga Lituania.

Ajo u vendos atje pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, për shkak të, siç u raportua, kërcënimeve që ajo dhe familja e saj kanë marrë.

Presidenti Alyaksandr Lukashenka, i cili ka udhëhequr Bjellorusinë qysh në vitin 1994, ka shprehur vendosmërinë për të qëndruar në pushtet, pavarësisht protestave kundër rizgjedhjes së tij, që zgjasin për më shumë se dy javë.

Lukashenka, 65 vjeç, ka thënë se Këshilli Koordinues i Tsikhanouskayas, i formuar javën e kaluar me qëllimin e deklaruar për hapjen e negociatave me qeverinë, është një përpjekje e paligjshme për të marrë pushtetin.

Organizatorët e protestave bënë thirrje për një tubim, mbrëmjen e sotme, për të festuar përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Bjellorusisë nga Bashkimi Sovjetik, më 1991.

Kjo festë është shfuqizuar nga Lukashenka pasi ka marrë pushtetin, 26 vjet më parë.

Duke thënë se së paku gjashtë protestues bjellorusë janë vrarë në përleshje me policinë dhe se dhjetëra janë dërguar në paraburgim, Tsikhanouskaya kërkoi “respekt për të drejtat politike” dhe “lirimin e të gjithë të burgosurve politikë” në Bjellorusi.

“Bjellorusia është zgjuar. Ne nuk jemi më opozitë. Tani jemi shumica”, u tha Tsikhanouskaya ligjvënësve evropianë, duke shtuar se mbi 200,000 njerëz dolën në rrugët e Minskut në protestën e 23 gushtit.

LEXO EDHE:

Back to top button