Turqia dhuron karroca elektrike për personat me aftësi të kufizuara në Maqedoninë e Veriut

Këshilltari i Shërbimeve Fetare në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Mesten shprehu falënderimet për ata që kanë ofruar ndihmë në dërgimin e karrocave elektrike për personat me aftësi të kufizuara

Në një aktivitet të mbajtur në Shkup me rastin e 3 Dhjetorit – Ditës Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara, Türkiye dhuroi karroca elektrike për personat me aftësi të kufizuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhurimi i karrocave elektrike për personat me aftësi të kufizuara u realizua në kuadër të programit të organizuar nga Shoqata e Individëve me Nevoja të Veçanta “SOS Vita” me qendër në Shkup, në bashkëpunim me Zyrën e Këshilltarit për Shërbimet Fetare në Ambasadën e Türkiye-s në Shkup dhe Dega në Hamburg e Unionit Turko-Islam për Çështjet Fetare (DITIB) në Gjermani.

Në program krahas ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu, këshilltarit të Shërbimeve Fetare në Ambasadën e Türkiye-s në Shkup, Mustafa Mesten, kryetarit të Shoqatës SOS Vita, Ertan Shakiri morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe rajonale në vend, përfaqësues të DİTİB, persona me aftësi të kufizuara anëtarë të “SOS Vita”, familjarë të tyre si dhe të ftuar të tjerë.

Ministri Sali në një deklaratë për gazetarët tha se janë mbledhur me rastin e Ditës Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara për t’u dërguar një mesazh punonjësve të shëndetësisë se “duhet të interesohen më shumë për personat me nevoja të veçanta”.

“Si ministri e shëndetësisë, zhvillojmë politika shëndetësore lidhur me klasifikimin e aftësive të personave me nevoja të veçanta. Teksa kryejmë klasifikimet ne i sistemojmë ato ose sigurojmë përfshirjen e tyre në shoqëri. Natyrisht çdo individ në këtë botë ka një aftësi personale. Këto aftësi i nxjerrim duke i integruar në punët e përditshme, në sistemin shtetëror ose në sektorin privat”, tha Sali.