Turqia njofton zbatimin e ligjit të diskutueshëm për largimin e qenve endacakë pas vdekjes së një vajze dyvjeçare
Turqia njofton zbatimin e ligjit të diskutueshëm për largimin e qenve endacakë pas vdekjes së një vajze dyvjeçare

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya u zotua sot se do të zbatojë plotësisht një ligj të diskutueshëm për të hequr miliona qen endacakë nga rrugët, pas vdekjes së një vajze dyvjeçare.
Ligji, të cilin grupet e të drejtave të kafshëve e kanë quajtur “ligj masakrës”, u miratua nga Parlamenti verën e kaluar, por autoritetet komunale e kanë zbatuar atë vetëm pjesërisht dhe në disa raste aspak.
Vajza 2-vjeçare Rana El Selci vdiq të premten pasi u sulmua nga një tufë qensh endacakë në qytetin Konya, në Turqinë qendrore. Vdekja e saj shkaktoi protesta të gjera për rrezikun që paraqesin qentë endacakë që bredhin rrugëve dhe zonave rurale të Turqisë, numri i të cilëve, sipas qeverisë, është rreth katër milionë.
Pas vdekjes së saj, filloi një hetim penal dhe punonjësit e komunës filluan të kapnin qentë.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha të shtunën se qeveria “po ndërmerr hapa vendimtarë për të siguruar zbatimin e ligjit”.
Me miratimin e ligjit, partia më e madhe opozitare njoftoi se komunat në të cilat është në pushtet nuk do ta zbatojnë atë.
Ligji parashikon edhe dënime për kryetarët e bashkive që nuk zbatojnë dispozitat e tij.