Uji në Vallandovë me sasi të lartë të Arsenit? Kreu i komunës pohon të kundërtën
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pas skandalit me ujin e ndotur në Gostivar, problemi me ujin për pije shfaqet edhe në qytetin e Vallandovës. Ndërmarrja Publike “Shërbimi Komunal”, ka konstatuar se uji ka nivel të lartë të arsenit, komponentë kjo kancerogjene. Këto rezultate janë konstatuar pas analizave të kryera nga Instituti për Shëndet Publik në Shkup.
“Propozohet që uji nga ujësjellësi i Qytetit në VAllandovë të mos përdoret për pije derisa të marrim rezultatet e reja të cilat do ta konfirmojnë rregullsinë e saj. Uji mund të shfrytëzohet vetëm për përdorim teknik. Ndërmarrja do ti ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme dhe do të kryejë analiza shtesë të kualitetit të ujit, në bashkëpunim me institucionet kompetente”, thuhet në komunikatën e ndërmarjes komunale “Shërbimi Komunal”.
Por nga ana tjetër, kryetari i Vallandovës, Gjoko Ristov e pohon të kundërtën. Thotë se janë bërë analiza të tjera shtesë të cilat tregojnë se niveli i arsenit në ujë është vetëm 1,4 njësi për miliardë dhe kjo sipas tij nuk ka pasoja shëndetësore.
“Rezultatet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se prania e Arsenit në ujin që pihet në Vallandovë është 14, pak më shumë se e lejuara që është 10. Megjithatë, kemi bërë analiza të tjera të jashtëzakonshme të cilat kanë treguar se në fakt prania e Arsenit është vetëm 1,4 e jo 14 sic është njoftuar. Presim që edhe këto rezultate të merren parasysh dhe Agjencia e Ushqimit të del me komunikatë të re ku do të lejohet uji për pije. Paniku më tepër është krijuar nga rasti në Gostivar por rasti jonë me atë të Gostivarit nuk ka asnjë lidhje”, u shpreh për Alsat, kryetari i Vallandovës, Gjoko Kamçev.
Sipas të parit të Vallandovës, uji i tillë në Vallandovë konsumohet tanimë për 50 vite me radhë dhe nuk ka paraqitur asnjë rrezik për shëndetin e banorëve. Në media janë paraqitur informacione se uji është i dyshimtë edhe në komunat Debërc e Prilep, por nuk ka rezultate dhe analiza shkencore që vërtetojnë një gjë të tillë./Alsat.mk








