Një raport i Bashkimit Evropian këtë javë do të deklarojë se Ukraina ka përmbushur dy nga shtatë kushtet për fillimin e negociatave, thanë dy burime të BE-së, ndërsa Komisioni Evropian vendosi të theksojë përparimin pavarësisht ligjit ushtarak të sjellë nga agresioni rus.
Por Bashkimi Evropian ka vendosur shtatë kushte – duke përfshirë reformat në drejtësi dhe fundin e korrupsionit endemik – për të inkurajuar bisedimet e pranimit. Ukraina ka kërkuar që negociatat të fillojnë këtë vit.
Raporti i Bashkimit Evropian është një moment historik në atë proces, për të cilin mbështetësit e pranimit të shpejtë të Ukrainës në BE shpresojnë se do të kulmojë me një vendim të 27 vendeve anëtare në dhjetor për të filluar negociatat me Kievin.
Dy zyrtarë të lartë të BE-së të njohur me raportin, i cili ende nuk është bërë publik, thanë se Ukraina deri më tani kishte përmbushur dy kritere. Një nga zyrtarët tha se këto dy kritere kanë të bëjnë me reformën ligjore dhe ligjin e medias dhe shtoi se fokusi është te zhvillimet pozitive.
“Ka progres. Raporti do të jetë mesatarisht pozitiv”, ka thënë personi që ka dashur të mbetet anonim. “Nuk bëhet fjalë për zbukurimin e realitetit, por për njohjen e progresit, për shembull mund të emërtohen raste të spikatura kundër korrupsionit.
Ukraina ka zgjidhur disa raste të korrupsionit të nivelit të lartë në muajt e fundit, duke përfshirë burgosjen e kreut të Gjykatës së Lartë për një ryshfet të dyshuar prej 2.7 milionë dollarësh.
Përveç përpjekjeve më të ashpra për të ndëshkuar korrupsionin, kritere të tjera përfshijnë reformat e Gjykatës Kushtetuese dhe policisë së Ukrainës, masat kundër pastrimit të parave, si dhe ligje për të frenuar oligarkët dhe për të mbrojtur të drejtat e pakicave kombëtare.
Raporti, i përshkruar si një përditësim urgjent përpara një vlerësimi më zyrtar në tetor, së pari do t’u dorëzohet 27 përfaqësuesve kombëtarë në Bruksel të mërkurën dhe më pas ministrave të jashtëm të BE-së kur ata të takohen në Stokholm të enjten.
27 vendet anëtare do të kenë fjalën e fundit nëse dhe kur do të hapen negociatat e pranimit me Kievin.








