Ukrainë, vazhdojnë luftimet

Ukrainë, vazhdojnë luftimet

Në Ukrainë vazhdojnë luftimet e pandërprera, ndërsa pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë hyri në muajin e shtatë, me forcat e Moskës që qëlluan me municione thërrmuese në një qytet qendror një ditë pasi dhjetëra persona u vranë në një sulm me raketa ruse në një stacion hekurudhor të Ukrainës. Ndërsa ukrainasit festuan 31 vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për sulmin me raketa që goditi stacionin hekurudhor të Çapline. Zyra e Presidentit të Ukrainës tha se një fëmijë 11 vjeç ishte vrarë në një sulm tjetër me raketa në një pjesë tjetër të po këtij rajoni. Dy raketa ruse goditën komunitetet pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

“Çapline është dhimbja jonë sot. Deri në këtë moment janë 22 të vdekur, pesë prej tyre të djegur në një makinë hekurudhore. Operacionet e kërkim-shpëtimit në stacionin hekurudhor do të vazhdojnë. Ne patjetër do t’i bëjmë pushtuesit të përgjigjen për gjithçka që kanë bërë. Dhe sigurisht që do t’i dëbojmë pushtuesit nga toka jonë”, tha Volodimir Zelenski, President i Ukrainës.

Ndërkohë Ministria ruse e Mbrojtjes mohon të jetë vrarë civilë. Sipas Rusisë në sulmin në Çapline janë vrarë 200 rezervistë të ushtrisë ukrainase dhe është shkatërruar pajisja e tyre. Sipas autoriteteve ruse raketa e saj ka goditur një tren ushtarak, i cili është dashur të dërgojë armë në linjën e frontit.

Ndërkohë organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch bëri të ditur se përdorimi i përsëritur i municioneve thërrmuese nga forcat ruse, ka shkaktuar dëme të vazhdueshme dhe afatgjata për qindra civilë ukrainas. Ukraina është i vetmi vend në botë ku sot përdoren municione thërrmuese, deklaroi organizata Human Rights Watch. Qindra sulme ruse me municione thërrmuese janë dokumentuar ose raportuar në të paktën 10 nga 24 rajonet ose provincat e Ukrainës. Të dhënat paraprake tregojnë se janë regjistruar të paktën 689 viktima civile nga sulmet me municione thërrmuese në Ukrainë midis shkurtit dhe korrikut të viti 2022. Municionet thërrmuese janë raketa dhe bomba që shpërthejnë në ajër mbi një objektiv dhe lëshojnë shumë pajisje të vogla shpërthyese. Përdorimi i tyre është i paligjshëm sipas Konventës Ndërkombëtare të vitit 2008./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button