Ulet çmimi i naftës në vend, rritet i benzinës
Gazetar: Angel Dimovski
Benzina rritet, dizeli ulet. Karburantet nga mesnata me çmime të reja. Komisioni Rregullator i Energjetikës vendosi për shtrenjtimin e benzinës për 2,0 denarë, ndërsa çmimi i dizelit ulet për 2,5 denarë; vaji ekstra i lehtë për amvisëri ulet për një denar, kurse mazuti rritet për 0,368 den/kg.
Komisioni Rregullator i Energjetikës:
Benzinë motorike EUROSUPER BS – 95 82,50 den/lit (rritet për 2,0 denarë)
Benzinë motorike EUROSUPER BS – 98 84,50 den/lit (rritet për 2,0 denarë)
Karburant dizel EURODIZEL BS (D-E V) 91,50 den/lit (ulet për 2,5 denarë)
Vaj për djegie ekstra i lehtë 1 (EL-1) 96,00 den/lit (ulet për 1,0 denarë)
Mazut M-1 NS 46,656 (denarë/kilogram) (rritet për 0,368 denarë).
Këto janë çmimet maksimale, ndërsa kompanitë, nëse dëshirojnë, mund të shesin edhe me çmime më të ulëta. Zbritja nga OKTA zgjat deri në fund të këtij muaji; kompanitë që furnizohen me karburant nga kjo kompani mund ta shesin benzinën për dy denarë më lirë se çmimi maksimal, ndërsa dizelin për tre denarë më lirë.
Sa i përket asaj nëse zbritja e OKTA-s do të vazhdojë edhe gjatë muajit të ardhshëm, kryeministri Hristijan Mickoski tha se do të kenë takim javën e ardhshme dhe do të vendosin.
„Për „OKTA“-n do të bisedojmë këtë javë; ende nuk e kemi hapur temën, por do të bisedojmë këtë javë, do të bisedojmë me ministren e energjetikës dhe, natyrisht, brenda mundësive do të bëjmë gjithçka që të vazhdojë ajo zbritje”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Në bursën botërore çmimi i naftës shënoi rritje pasi bisedimet paqësore mes SHBA-së dhe Iranit hynë në qorrsokak, ndërsa tregjet po e rivlerësojnë rrezikun e një ndërprerjeje më të gjatë të furnizimeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Në bursat ndërkombëtare, nafta e papërpunuar „Brent“ u rrit me gati tre për qind dhe arriti rreth 108 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në tre javët e fundit, ndërsa WTI amerikane lëvizi rreth 97 dollarë për fuçi./Alsat.mk.








