Ultimatumi pesëditor i Trampit drejtuar Iranit është drejt skadimit

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ka filluar numërimi mbrapsht i ultimatumit pesëditor që presidenti amerikan Donald Tramp i vendosi Iranit, për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Palët ngurtësuan qëndrimet, ndërsa një përpjekje diplomatike për një armëpushim në luftën e Lindjes së Mesme duket se dështoi. Ndërkohë Ngushtica e Hormuzit, rruga detare më e rëndësishme në botë për transportimin e mallrave vazhdon të mbetet e bllokuar.

Kështu duket trafiku në këtë ngushticë në 24 orët e fundit, teksa përmes Marine Traffic shihet lëvizja e kufizuar e anijeve të mallrave dhe cisternave.

Teherani u përpoq të formalizonte kontrollin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni përgatitej për mbërritjen e trupave amerikane në rajon, të cilat mund të përdoreshin në terren.

Ndërkohë vazhdon pasiguria rreth bisedimeve jo të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa bashkë me të, vazhduan edhe sot bombardimet kundër Iranit, Izraelit dhe shteteve në Lindjen e Mesme.

Duke folur para ligjvënësve republikanë, Tramp këmbënguli se Teherani po merr pjesë në bisedimet për paqe, pavarësisht se Irani mohon.

“Ata po negociojnë, meqë ra fjala, dhe duan shumë të bëjnë marrëveshje. Por, kanë frikë ta thonë, sepse mendojnë se do të vriten nga vetë njerëzit e vet”, deklaroi Donald Trump, President i SHBA-së.

Hollësitë e propozimit  15 pikësh për paqe, nga SHBA-ja, të raportuara nga media duke cituar burime anonime nuk janë bërë ende të ditura. /Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button