UNICEF për PISA 2025: Ndryshimet në arsim kërkojnë kohë, prioritete mbeten arsimi parashkollor dhe arsimtarët

Gazetare: Melihate Rustemi

UNICEF-i i ka vlerësuar rezultatet e PISA 2025 si shqetësuese dhe si dëshmi të një krize të vazhdueshme të të nxënit në Maqedoninë e Veriut. Përfaqësuesja e UNICEF-it në vend, Lesli Miler, tha për Alsat se rezultatet tregojnë nevojën për vazhdimin e reformave, por edhe për një angazhim më të qëndrueshëm dhe afatgjatë në arsim. Sipas saj, veçanërisht shqetësuese, është rënia e rezultateve në matematikë. Megjithatë, UNICEF-i nuk e sheh situatën si arsye për braktisjen e reformave. Përkundrazi, Miler thekson se ndryshimet në arsim kërkojnë kohë dhe se problemet që janë grumbulluar ndër vite nuk mund të zgjidhen brenda një ose dy vitesh.

“Fatkeqësisht, rezultatet e PISA-s 2025 konfirmojnë krizën e të nxënurit të mësimit në vend. Shohim se vetëm një në katër fëmijë të moshës 15 vjeçare po përmbush nivelin bazë të aftësisë në lexim dhe vetëm një në tre, në matematikë dhe shkencë dhe në fakt kemi parë një rënie në matematikë, dhe në të vërtetë është shumë shqetësuese. Megjithatë, e dimë që ndryshimi dhe reforma kërkojnë kohë, dhe po, progresi është i ngadaltë. Por kjo duhet parë në kontekstin më të gjerë të reformës, ndryshimeve në qeveri dhe një rruge të gjatë që na ka sjellë këtu, me probleme afatgjata që nuk mund të zgjidhen brenda natës”, tha për Alsat, Lesli Miler, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoni.

Një nga problemet kryesore, sipas UNICEF-it, është arsimi parashkollor. Vetëm rreth 46 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri në 5 vjeç ndjekin arsimin parashkollor, ndërsa pikërisht vitet e para konsiderohen vendimtare për zhvillimin e aftësive themelore të fëmijëve. Për UNICEF-in, përmirësimi i rezultateve kërkon gjithashtu investime në cilësinë e mësimdhënies, zhvillimin profesional të mësuesve dhe përdorimin më efikas të burimeve arsimore. Miler thekson se në rezultatet e nxënësve ndikojnë edhe kushtet socio-ekonomike. Fëmijët që jetojnë në varfëri apo u përkasin grupeve më të cenueshme shpesh kanë më pak qasje në burimet dhe mbështetjen e nevojshme për sukses në shkollë.

“…. Së dyti, ka të bëjë me përdorimin efikas. Burimet tona ekzistuese, duke u siguruar që burimet të vendosen aty ku do të kenë ndikimin më të madh në të nxënit e nxënësve, ndërsa kjo përfshin përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, përmirësimin e mbështetjes dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve dhe sigurimin që fëmijët të kenë mundësi të zbatojnë atë që mësojnë, jo vetëm një lloj të nxëni njëkahësh, dhe së treti, faktorët socioekonomikë luajnë vërtet një rol. Ne e dimë që fëmijëve që jetojnë në varfëri, fëmijëve nga grupet e cënueshme, shpesh u mungojnë burimet dhe mbështetja që u nevojitet, theksoi për Alsat, Lesli Miler, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoni.

Për të ndryshuar situatën, UNICEF-i veçon tri prioritete: zgjerimin e arsimit parashkollor, përdorimin më efikas të burimeve ekzistuese dhe investimin e vazhdueshëm në mësimdhënie cilësore dhe në mbështetjen e mësuesve. Miler thekson se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Ministrinë e Arsimit. Sipas saj, përmirësimi i rezultateve kërkon bashkëpunimin e institucioneve, komunave, shkollave, prindërve dhe të gjithë shoqërisë. Nxënësit 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rezultate të dobëta në PISA 2025, dukshëm nën mesataren e OECD-së. Vetëm 32% kanë arritur nivelin bazë në matematikë, 36% në shkencë dhe 26% në lexim. Në nivelet më të larta të vlerësimit, rezultatet janë edhe më shqetësuese./Alsat.mk.

 

LEXO EDHE:

Back to top button