Urgjenca në krizë, stafi i pamjaftueshëm, ndërsa rastet nuk ndalen
Urgjenca në krizë; stafi i pamjaftueshëm, ndërsa rastet nuk ndalen
Gazetare: Linda Ebibi
Në kohën e fundit janë shtuar thirrjet për ndihmë mjekësore në Urgjencë, Ndihma e Shpejtë përballet me mungesë serioze të ekipeve mjekësore. Aktualisht funksionon vetëm me gjashtë ekipe. Sipas mjekëve numri është i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat urgjente të qytetarëve, dhe si rrjedhojë janë të detyruar të bëjnë selektimin e thirrjeve urgjente.
“Po mundohemi të bëjmë selektim, klasifikim të rasteve që të shërbejmë atje ku ka më shumti nevojë, kjo nuk do me thënë se tjerët që e kërkojnë nuk kanë nevojë, mirëpo mund të presin ose të mund ta marrin shërbimin përmes mjekut amë. E ceka se i kemi 6 ekipe, mirëpo ato 6 ekipe të formuar me ndihmë e specializantëve të cilët i ka Shtëpia e Shëndetit në Shkup, për momentin janë këtu në ndihmë të Ndihmës së Shpejtë, mirëpo kjo do të jetë këto dy muaj sa janë pushimet pasat kthehemi në normale në pesë ekipe. Shpresojmë që të bëhet diçka të punësohen mjekë, infermierë, dhe shoferë që të kemi më shumë ekipe”, tha Rihad Rexhepi, mjek në Ndihmën e Shpejtë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu thotë se Ndihma e Shpejtë është në prioritetin e tij, dhe se së shpejti do të dalin me plan për përmbushjen e nevojave që kanë të gjitha qendrat në nivel shtetëror.
“E dini që është procedura në fund për të punësuar motra medicinale dhe mjekë në Ndihmën e Shpejtë. Por, gjithashtu atje mungon edhe aspekti i veturave të cilat janë kompatibile me standardet që duhet ti ketë një shërbim i tillë. Pra, bëjmë analizën në nivel të shtetit, sa vetura do të na duhen për Ndihmën e Shpejtë, për shumë shpejtë do të dalim me plan për ti furnizuar të gjitha qendrat jo veç në Shkup, por gjithandej në Maqedoni si me kapacitetet njerëzore ashtu edhe me kapacitete të infrastrukturës se nevojshme që do t’ju duhet brenda”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Ndihma e shpejtë prej disa muajsh apelon për mungesat me të cilat përballen dhe kërkon nga institucionet kompetente të ndërmarrin masa konkrete për të përforcuar kapacitetet./Alsat.mk








