Urimet për Kosovën nga krerët e shteteve

Urimet për Kosovën nga krerët e shteteve

Presidenti i SHBA, Joe Biden, uroi Kosovën në përvjetorin e Pavarësisë, duke e siguruar atë për mbështetjen e vazhdueshme amerikane. Në mesazhin që u bë publik nga zyra e Presidentes Vjosa Osmani, kreu i Shtëpisë së Bardhë thekson mbështetjen për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike dhe dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Njohja reciproke, sipas Biden, do të sillte një të ardhme më të mirë e paqësore për të dyja vendet: “Ne mirëpresim pranimin e propozimit të BE-së për normalizim, me synimin përfundimtar, njohje e ndërsjellë, që do të ndihmonte në arritjen e një të ardhmeje më paqësore dhe të begatë për popullin e Kosovës dhe Serbisë”.

Edhe krerët e Francës dhe Gjermanisë theksuan në urimin e tyre për 15-vjetorin e Pavarësisë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE është thelbësor në rrugën e Prshtinës dhe Beogradit drejt integrimit europian. Në letrën dërguar Osmanit, Macron theksoi nevojën e rinisjes së bisedimeve në kuadër të dialogut:“Është thelbësore të rifillojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është element qendror për perspektivën evropiane të dy vendeve dhe për sigurimin e stabilitetit të rajonit dhe kontinentit evropian. Ne presim që të dy vendet të angazhohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

Ndërkaq, Steinmeier tha se Gjermania mbështet perspektivën evropiane të Kosovës, por shtoi se dialogu me Serbinë mbetet “sfidë thelbësore” për Kosovën: “Dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE-ja, mbetet një sfidë thelbësore për vendin tuaj referuar normalizimit të marrëdhënieve të të dyjave vendeve dhe promovimit të qëndrueshëm të sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Se sa i rëndësishëm është angazhimi i të dyja palëve në bisedime, këtë e kanë treguar rishtazi edhe tensionet e fundit. Gjithashtu, gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së”.

LEXO EDHE:

Back to top button