Ushqimi do të jetë më i lirë për të paktën dhjetë për qind nga dhjetori

Ushqimi do të jetë më i lirë për të paktën dhjetë për qind nga dhjetori

Gazetar: Ile Petreski

Prodhuesit e produkteve ushqimore do të ulin çmimet të paktën për 10 për qind, nga dhjetori, shkruan Alsat.

Në periudhën e ardhshme do të nisin përllogaritjet e kompanive, por përveç rrymës së shtrenjtë, biznesmenët thonë se ka edhe kosto të tjera që e kanë bërë kaq të lartë çmimin aktual të ushqimeve.

Megjithatë, biznesmenët shpresojnë se do të ketë korrigjim në rënie të çmimit.

“Në masën që do të jetë e mundur, sigurisht të gjithë shpresojmë që të ndodhë, megjithatë, të mos harrojmë këtu se çmimet e lëndëve të para dhe lëvizja e tyre, janë një faktor shumë i rëndësishëm, por le të themi se të gjithë shpresojmë se do të jetë kështu.” Kompanitë e sektorit të ushqimit, janë mirënjohëse për këtë mbështetje dhe ndihmë, dhe do të them se të njëjtën gjë presin edhe kompanitë e tjera nga shteti”, tha Jelisaveta Georgieva Jovevska, Nënkryetare e Odës Ekonomike.

Nga Oda Ekonomike thonë për Alsat se Qeveria duhet të ndryshojë një vendim.

Sipas informacioneve të tyre, masa për energjinë e lirë elektrike do të vlejë për industrinë e shpendëve, por jo edhe për kompanitë e tjera që përpunojnë, apo kultivojnë lloje të tjera mallrash si derra apo bagëti.

Qeveria garanton se të gjithë ata që kanë nevojë do të marrin ndihmë.

“Për të gjitha kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, për të gjitha kompanitë e industrisë, synohet ruajtja e likuiditetit të tyre dhe veçanërisht për industritë më thelbësore, që na furnizojnë me produkte ushqimore bazë, prandaj thashë që ushqimi dhe energjia elektrike duhet të jenë në dispozicion për të gjithë në shtet”, theksoi Dimitar Kovaçevski –Kryeministër.

Qeveria ka marrë vendim këtë fundjavë që prodhuesit e miellit, bukës, vajit, mishit dhe produkteve të mishit, vezëve, qumështit dhe produkteve të qumështit do të marrin energji elektrike, që do të kushtojë 80 euro për megavat orë.

Masa do të jetë e vlefshme nga 1 dhjetori dhe kjo do të paraqesë një ulje të kostos së energjisë elektrike për më shumë se dyfish.

Por, për një ulje më drastike të çmimit të ushqimeve, sektori i biznesit bëri apel që të reagojë në rezervat e mallrave, dhe të ofrojë kredi të reja të lira për blerjen e lëndëve të para, që janë rritur ndjeshëm në çmim./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button