Buldozerët ndërtuan pengesa gjigante rëre të premten për të mbrojtur shtëpitë buzë detit në një nga qytetet e Kalifornisë, të goditur rëndë këtë javë nga dallgët e jashtëzakonshme të krijuara nga stuhitë në Oqeanin Paqësor.
Dhjetëra njerëz ndoqën ndërtimin e barrierave emergjente në një zonë të qytetit Ventura, ku një valë e madhe të enjten goditi njerëzit dhe automjetet që ishin buzë oqeanit ndërsa përshkoi plazhin dhe u fut në një lagje.
“Kemi pasur valë të mëdha më parë, por kurrë si kjo”, tha Karris Kutivan, i cili banon prej nëntë vitesh në qytetin piktoresk bregdetar, rreth 97 kilometra në veriperëndim të qytetit Los Anxhelos.
Valë të ngjashme pushtuan edhe plazhe të tjera të enjten në brigjet e Kalifornisë, duke përmbytur parkingje, rrugë dhe duke nxitur paralajmërime evakuimi për zonat e ulëta.
Zyra e motit në zonën e Los Anxhelosit shkroi se ciklonet e fuqishme mbi ujërat veriore të Paqësorit po krijonin valë nga 3.6 deri në 5 metra të larta, duke krijuar “energji të jashtëzakonshme të valëve nëpër ujërat bregdetare”.
Në disa zona përgjatë Kalifornisë, dallgët parashikohet të shkojnë deri në 7.6 metra. Baticat e larta astronomike po shtojnë një rrezik të konsiderueshëm për më shumë përmbytje bregdetare, thanë hulumtuesit e motit.
“Në përgjithësi, kjo pritet të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme e përmbytjeve të larta dhe bregdetare që nuk ka ndodhur për shumë vite”, shkroi shërbimi i motit.








