Varreza masive në Kizhevak, Kurti: Deri tani janë identifikuar dy viktima

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka pranuar informacione se eshtrat e zhvarrosura vitin e kaluar nga një varrezë masive në Kizhevak të Serbisë, e që më pas janë dërguar për analizë të ADN-së, u përkasin viktimave të luftës në Kosovë.

“Deri më tani ka dy identifikime të reja, për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar”, tha Kurti përmes një postimi në Facebook.

“Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak”, shtoi Kurti, derisa përkujtoi masakrat e Kralanit dhe Rezallës në 22-vjetorin e tyre.

Gërmimet në varrezën masive të Kizhevakut, pranë Rashkës, janë bërë në fund të vitit të kaluar.

Atje janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.

Atëbotë, autoritetet kanë thënë se kërkimet në Kizhevak do të vazhdojnë në vitin 2021, pasi të përmirësohen kushtet e motit.

“Është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive”, tha të hënën Kurti.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve te tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë”, theksoi ai.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

LEXO EDHE:

Back to top button