Vatra aktive të zjarrit në Shqipëri e Kosovë

Shqipëria vazhdon të përballet me disa vatra zjarri kryesisht në zonën e malit të Karaburunit, parkut Kombëtar të Llogorasë përfshi edhe zonën e Dukatit. Mëngjesin e sotëm Forcat e Armatosura kanë zbarkuar në 1.200 metra lartësi, ndërsa Komiteti i Mbrojtjes Civile pas hartimit të planit operativ ka kërkuar edhe ndihmën e vendeve të BE-së.

Ka një rrezik të shtuar i cili është potent, por me shtimin e resurseve dhe burimeve teknike dhe njerëzore, shpresojmë që ta marrim situatën në kontroll. Nuk është e vërtetë se ka avancuar shumë. Ka një zjarr që ka disa ditë që ka filluar. Për shkak të terrenit jashtëzakonisht të vështirë për të operuar me forca, ka vazhduar operacioni dje dhe sot. Synojmë ndërprerjen dhe izolimin e avancimit të zjarrit”, tha Haki Çako, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Emergjenca Civile ka parashikuar edhe përkeqësimin e mundshëm të situatës si pasojë e temperaturave të larta dhe në ditët e ardhshme dhe erërave të forta që pritet ta përfshijnë Shqipërinë. Ndërkohë në Kosova pjesa dërmuese e vatrave të zjarrit janë neutralizuar. Nga 50 zjarre aktive, mëngjesin e sotëm ekipet emergjente janë shpërndarë në katër lokacione, kryesisht në Suharekë. Mbrëmjen e kaluar policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për vepra penale zjarr vënie. Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës vizitoi Suharekën nga ku edhe porositi se qytetarët nuk duhet frikuar sepse situata është nën kontroll.

Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes dhe Agjencinë për Emergjenca po bëjnë krejt çka munden së bashku me komuna. Komunat nuk kanë zjarrfikës edhe pse kanë mjaftueshëm pajisje. Prandaj komunat fqinje po vihen në ndihmë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me krerët e komunave dhe po bëjmë gjithçka që mundemi”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

24 orët e fundit vatra zjarri janë paraqitur edhe në Greqi dhe Itali.


Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button